Universitetet, PD akuzon qeverinë

26/10/2014 00:00

Partia Demokratike akuzoi qeverinë se po u pakëson çdo ditë shanset studentëve shqiptarë, duke reduktuar kuotat e masterit dhe duke rritur tarifat financiare. Opozita thotë se kjo situatë është e papranueshme, ndaj i kërkon kryeministrit Rama që të kthejë mbrapsht vendimin. PD thotë se do të jetë në krah të protestave të studentëve.

“Edi Rama po u pakëson çdo ditë shanset studentëve shqiptarë, duke reduktuar kuotat e masterit dhe duke rritur tarifën financiare. Është e pabesueshme se si një Kryeministër ndërhyn në këtë mënyrë në projektet, ëndrrat dhe dëshirat, që kanë të rinjtë për t’u arsimuar e për t’u përgatitur për të ardhmen. Në vend që të lehtësojë jetën e tyre akademike, Edi Rama po u bëhet studentëve barrë e papërballueshme, duke ulur me 40 përqind kuotat për masterat profesionalë dhe me 30 përqind kuotat për masterat shkencorë. Po ashtu, vendimi që ai ka marrë për të paguar 30% të shumës, që në momentin e parë të regjistrimit, është një tjetër shtrëngesë e papërballueshme për studentët”, është shprehur Salianji.

Duke e quajtur këtë si sjellje armiqësore dhe ndërhyrje brutale në rrugën e studentëve për të ardhmen e tyre, ai ka dënuar këto akte dhe fton studentët të ngrihen në protesta, duke theksuar mbështetjen e opozitës.

“Partia Demokratike e dënon ashpër këtë akt dhe i kërkon Edi Ramës ta kthejë mbrapsht menjëherë vendimin që ka marrë, të rikthejë kuotat e mëparshme dhe ta lehtësojë tarifën e tyre financiare”.

Top Channel