PS: Opozita mbron paligjshmërinë

26/10/2014 00:00

Partia Socialiste akuzoi opozitën se është duke mbrojtur paligjshmërinë në Tiranë me deklaratat e saj kundër aksionit të INUK-ut për prishjen e ndërtimeve pa leje.

Madje, deputeti Besnik Bare fajësoi Lulzim Bashën se e ka braktisur detyrën e kryebashkiakut të Tiranës dhe se Tiranën mund ta çlirojë vetëm kryeministri Rama, si dikur kur ishte kryebashkiak i kryeqytetit.

“Katër vjet Bashkia e Tiranës në duar të Partisë Demokratike, katër vjet ndërtime pa leje, uzurpim i trotuareve, parqeve të lagjeve, rrugëve, tarracave të pallateve. Hapësirat publike në Tiranë nuk ekzistonin më si koncept. U desh ndërhyrja e Inspektoriatit Ndërtimor Kombëtar, që qytetarëve të Tiranës t’u riktheheshin hapësirat publike. Plot 98 mijë metër katrorë hapësirë publike të çliruara nga INUK deri më sot dhe 1400 objekte të paligjshme të prishura. Sigurisht, operacioni do të vazhdojë deri në çlirimin e plotë të hapësirës publike dhe kthimit të saj në përdorim të qytetarëve të Tiranës, jo klientëve të kryetarit të SHQUP-it. Por ç’bën opozita ndërkohë? Si gjithmonë, në vend që të përshëndesë aksionet në shërbim të qytetarëve, opozita mbron paligjshmërinë. Sulmonte policinë pse u çlirua Lazarati dhe njësoj, sot sulmon INUK pse çliron hapësirat publike në Tiranë. Lulzim Basha e ka braktisur aq fort detyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, sa edhe vetë opozita, edhe vetë deputetët e tij, e kanë harruar se kryetari i Bashkisë është kryetari i tyre. Si deputet i Tiranës mbështes INUK dhe qeverinë të vazhdojnë aksionin e nisur për të çliruar njëherë e mirë hapësirën publike në Tiranë. Njësoj siç Edi Rama, atëherë kryetar Bashkie, çliroi Tiranën nga kioskat, sot Kryeministri po e çliron kryeqytetin nga ndërtimet pa leje, që kishin zaptuar çdo cep të Tiranës”, është shprehur deputeti socialist Besnik Bare.

Top Channel