Emigracioni, Merkel kundër Cameron

26/10/2014 00:00

Plani i kryeministrit britanik David Cameron, për të kufizuar lëvizjen e lirë të evropianëve me aftësi të ulta punësimi në Britani, ka marrë goditjen e parë nga Kancelarja gjermane Angela Merkel.

Në një intervistë dhënë gazetës londineze të së dielës “Sunday Times”, udhëheqësja gjermane thekson se “Gjermania nuk do të prekë parimet themelore të lëvizjes së lirë në BE”.

Planet e Cameron ishin që të vendosë një kuotë tavan për evropianët me aftësi të ulta punësimi, që kërkojnë të punojnë dhe jetojnë në Britani, çka do të kërkonte një reformë të madhe të rregullave të bllokut.

Kryeministri britanik kërkon që, nëse fiton zgjedhjet e vitit të ardhshëm, të zhvillojë një referendum për anëtarësimin ose jo të mëtejshëm të Britanisë në Bashkimin Evropian. Shqetësimi i Britanisë është se shumë nga kjo kategori evropianësh, por jo vetëm, vijnë në ishull për shkak edhe të gjendjes së mirë ekonomike në Britani, por edhe për shkak të lehtësisë së marrjes së ndihmave sociale nga shteti.

Por Merkel, në intervistën e saj me gazetën londineze, thekson se “unë jam e mendimit që ne duhet të punojmë më shumë për të luftuar abuzimin me sistemin e ndihmave, se sa të kufizojmë lëvizjen e lirë”.

Kryeministri britanik ka pasur një javë të vështirë për çështjet evropiane dhe ndodhet nën një trysni të madhe nga partia euroskeptike antiemigracion, UKIP.

Këto ditë do të ndeshet me ta në një zonë elektorale, ku frika është se kjo parti mund të marrë deputetin e dytë në Parlamentin britanik. Një sondazh i së dielës në Britani tregon se konservatorët e Cameron dhe laburistët e opozitës janë në kuotën e 33 përqindëshit, ndërsa UKIP në atë të 18 përqindëshit.

Top Channel