Energjia, skadon ultimatumi 5-ditor

26/10/2014 00:00

Afati i lënë nga kryeministri i vendit për vjedhësit e energjisë elektrike përfundon të hënën.

Pritet që shefi i qeverisë shqiptare të lançojë nisjen e një aksioni policor kombëtar për arrestimin e të gjithë atyre që vjedhin energjinë elektrike, gjatë një aktiviteti që do të zhvillohet të hënën me temë “Takim kombëtar. Mbrojtja e energjisë dhe lufta ndaj krimit urban dhe mjedisor, sfida të përgjegjësisë publike”.

Ky aktivitet, që do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, ku do të ketë më shumë se 2 mijë pjesëmarrës, do të jetë fillimi i aksionit në terren dhe është i treti në shkallë kombëtare brenda pak muajve, pas fushatave antidrogë në Lazarat e Dukagjin, si dhe asaj të prishjes së ndërtimeve pa leje.

Të mërkurën e javës që shkoi, kryeministri njoftoi se qeveria do të nisë një aksion me dorë të hekurt për vjedhësit e energjisë. Në një dalje të posaçme për publikun, kreu i qeverisë dha disa detaje të këtij aksioni, që mendohet se do të nisë ndaj biznesve të mëdha, ku dyshohet se ka vjedhje të energjisë elektrike, për të cilët vuri edhe ultimatumin 5-ditor.

Kryeministri lëshoi paralajmërime të forta javën e shkuar ndaj gjyqtarëve. Ndaj, në aktivitetin ku ai do të japë të gjitha detajet e këtij aksioni, do të jenë të ftuar edhe kryetari i Gjykatës së Lartë, Kryeprokurori dhe të gjithë drejtuesit e Gjykatave të Rretheve dhe të Apelit në vend. Në takim do të jenë gjithashtu dhe kreu i Parlamentit Meta, deputetë, kryetarë Bashkish dhe Komunash dhe të gjithë drejtorët e Policisë.

Shqipëria, sipas kryeministrit Rama, humbet çdo vit 150 milionë euro nga vjedhja e energjisë elektrike dhe një dëm i këtyre përmasave po mban peng të ardhmen e vendit, duke penguar realizimin e projekteve jetike. Ditët e fundit, policia ka bërë edhe arrestimet e para ndaj atyre që kanë vjedhur energjinë elektrike në Vlorë dhe Tiranë.

Top Channel