70-vjetori i çlirimit të Mirditës

26/10/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama dhe ministrat Nikolla dhe Veliaj morën pjesë në përkujtimin e 70-vjetorit të çlirimit të Mirditës. Vizitën në Rrëshen kryeministri e shfrytëzoi gjithashtu për inspektimin e disa projekteve dhe ndërhyrjeve infrastrukturore të realizuara nga Bashkia e këtij qyteti.

Me fonde të Bashkisë së Rrëshenit, në hyrje të qytetit janë ndërtuar trotuaret si dhe një rrugë me dy kalime e pemë dekorative dhe ndriçim, përfshi 8 lulishte me ndriçim dhe stola, si dhe janë rikonstruktuar fasadat e 8 pallateve.

Kryetari i Bashkisë së Rrëshenit, Ndue Kola, tha se të gjitha investimet e bëra i kanë kthyer frymëmarrjen qytetit. Ndërkohë që një fond prej 80 milionë lekësh është akorduar për unazën e qytetit.

“Ne kemi bërë disa punë, por puna më e madhe është vlerësimi që na ka bërë qeveria, kryeministri Edi Rama, duke na akorduar një fond të konsiderueshëm për unazën e qytetit, krejt e shkatërruar”, deklaroi zoti Kola.
 
Fillimin e fjalës së tij kryeministri Edi Rama ia dedikoi të rënëve për liri gjatë luftës nacional-çlirimtare: “Ne jemi këtu për të nderuar kujtimin e të gjithë atyre që vunë jetën në themelet e lirisë së kësaj zone, por edhe për të përcjellë në gjithë këtë zonë mesazhin e një rilindjeje që ka nisur përmes një sërë projektesh që tanimë janë përfunduar apo janë rrugës dhe projekte të tjera që kemi diskutuar sot me kryetarin e Bashkisë që do të vijojnë në funksion të transformimit në radhë të parë të infrastrukturës shkollore duke vendosur si pikë referimi gjimnazin e Rrëshenit dhe pastaj për tu shtrirë më tutje, por edhe të jetës kulturore dhe sportive.”

Gjatë qëndrimit në Rrëshen, kryeministri Edi Rama vizitoi Qendrën Profesionale “Shën Jozefi Punëtor”, e cila është ndërtuar me ndihmën e Caritas-it: “Ne kemi hapur një derë të re dhe një politike krejt të re për arsimin, me fokus tek arsimi profesional ku besojmë se qëndron baza e një Shqipërie që punëson dhe që krijon mundësi reale për të reja dhe të rinj që jetojnë me punë të ndershme.”

Krahas infrastrukturës, kryeministri Edi Rama pa nga afër në Rrëshen edhe një biznes të prodhimit të verës. Në këtë kantinë është prodhuar shampanja e parë shqiptare.

“Ngre këtë shampanjë të parë shqiptare në nder dhe në respekt të të gjithë atyre që si kjo familje kanë zgjedhur ta sfidojnë realitetin me ide, me talent, vullnet e punë dhe ia kanë dalë të tregojnë se asgjë nuk është e pamundur kur puna bëhet përmes ideve të suksesshme”, deklaroi zoti Rama.

Kryeministri e vijoi vizitën në Rubik, ku edhe këtu u përkujtua 70-vjetori i çlirimit të Mirditës. Në këtë qytet kryeministri Edi Rama inspektoi punimet për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare, e cila me infrastrukturën e saj aktuale nuk ofronte kushtet për të zhvilluar mësimin gjatë stinës së dimrit.

Shkolla profesionale e qytetit të Rubikut, deklaroi Rama, është një tjetër investim që pritet të nisë së shpejti dhe që do rrisë punësimin e të rinjve të këtij qyteti deri më sot të braktisur nga qeveritë.

Top Channel