“Nën petkun e reformës së administratës publike, nën alibinë e prishjes së ndërtimeve pa leje, me pretendimin demagogjik se gjoja po bën shtet, Edi Rama po hakmerret ndaj çdo individi që ka denoncuar korrupsionin dhe pazaret e tij si kryebashkiak dje dhe si kryeministër sot.”

Me këtë gjuhë të ashpër, kreu i opozitës Lulzim Basha ka denoncuar të gjitha veprimet arbitrare, sipas tij, nga dyshja oligarke Rama-Meta, të cilët po rrënojnë standardet e shtetit ligjor.

“Qytetarë të thjeshtë dhe sipërmarrës të ndershëm janë shoqëruar nëpër komisariate dhe janë arrestuar pa vendim gjykate, ashtu si në ditët më të errta të shtetit policor komunist. Asnjëri prej qytetarëve nuk mund të jetë i qetë apo i sigurtë, nëse njërit prej tyre i shkelet dinjiteti njerëzor me çizmen e shtetit arbitrar. Fatkeqësisht, numri i qytetarëve të cilëve u shkelen të drejtat të garantuara me ligj dhe Kushtetutë, janë mijëra”, theksoi zoti Basha.

Kreu i opozitës u ndal dhe te ndryshimet në administratë, të cilat i cilësoi si veprime për të emëruar në këto poste klientë të qeverisë. Ndërsa nuk kurseu as barrën që sipas tij, kryeministri po i ngarkon qytetarëve lidhur me marrëveshjen me CEZ-in: “Me një cinizëm dhe paturpësi të skajshme, Edi Rama po shkarkon mbi kurrizin e qytetarëve në nevojë dhe mbarë qytetarëve të ndershëm të vendit barrën e stërmadhe 100 milionë dollarëshe të dështimit me menaxhimin e CEZ-it dhe aferën korruptive që e shoqëroi.

E në fund, Lulzim Basha i bëri një thirrje atyre që i cilësoi pseudozyrtarë që të mos prekin jetën e qytetarëve, si dhe ju drejtua gjykatave që të mos bien pre’ e presionit: “U bëj thirrje pseudozyrtarëve që kanë vendosur t’i shërbejnë hakmarrjeve personale të oligarkëve, të mos guxojnë të prekin më jetën, dinjitetin dhe pronën e qytetarëve shqiptarë dhe të ndalojnë menjëherë çdo veprim abuziv. I bëj thirrje Prokurorisë dhe gjykatave të vendit të mos tulaten nga presioni dhe kërcënimet e pushtetarëve të oligarkisë që sot qeveris vendin, por t’i përmbahen rigorozisht Kushtetutës dhe ligjit dhe të mbrojnë të drejtat e qytetarëve shqiptarë.”

Top Channel