Studentët, protestë për kushtet e masterit

27/10/2014 00:00

Dhjetra studentë kanë protestuar para Universitetit Politeknik, ku kanë kërkuar heqjen e mesatares për vijimin e studimeve në master, si dhe uljen e tarifës së shkollimit.

“Kërkesa e parë, heqja e mesatares 6 si kusht për vazhdimin e studimeve të ciklit të dytë master, pasi ky kusht vjen befasisht për studentët, ka fuqi prapavepruese dhe na pamundëson vazhdimin e studimeve të ciklit të dytë. E dyta është heqja e tarifës për lëndët e mbartura. Një tarifim për çdo lëndë sipas krediteve me një rritje prej 200% kur kjo lëndë jepet si e mbartur dhe me një efekt prapaveprues”, deklaron një student protestues.

“Tarifa është rritur jashtëzakonisht shumë. Pak a shumë një master shkencor shkon mbi 200 mijë lekë, ndërkohë që vjet ka qenë shumë më pak, rreth 90 mijë lekë kam paguar unë për masterin tim”, shprehet një tjetër studente.

Rektori i Universitetit Politeknik, Jorgo Kaçani, tha se çështja e mesatares, e cila është 6, do të rishikohet, pasi studentët e vitit të fundit janë lajmëruar vetëm pak ditë më parë për këtë vendim.

“Që të vazhdoj masterin shkencor unë duhet ta kem mesataren mbi 8, ndërsa për të vazhduar një master profesional duhet ta kem mesataren mbi 6 dhe këto kritere duhet të jenë unike për të gjitha institucionet e arsimit të lartë, qofshin këto publike apo private. Por do të respektojmë kuotat që institucionet publike të arsimit të lartë kanë kërkuar për të vazhduar masterat shkencorë dhe profesionalë dhe kjo, në detyrim edhe të ligjit për arsimit e lartë, është e drejtë IAL-ve për të ndërhyrë dhe për të propozuar kuotat e tyre për këto mastera mbi bazën e mundësive që ne kemi”, deklaroi rektori i Universitetit Politeknik, Jorgo Kaçani.

Studentët pohuan se vendosja e mesatares vetëm për universitetet publike dhe jo ato private është diskriminuese.

Ndërkaq, në protestën e tyre ata kanë kërkuar uljen e tarifave të studimit, si dhe heqjen e tarifës për provimet e mbartura. Ministria e Arsimit ka deklaruar se këtë vit janë miratuar rreth 1 mijë kuota më shumë se një vit më parë në masterin shkencor dhe në atë profesional, si dhe studentët janë të detyruar të paguajnë 30% të kuotës në fillim të vitit, për të plotësuar nevojat e universiteteve.

Top Channel