Ebola, infermierja padit shtetin pas izolimit

27/10/2014 00:00

Infermierja amerikane e mbajtur në karantinë në Nju Xhersi pas trajtimit të të sëmurëve me Ebola në Afrikën Perëndimore, ka vendosur ta sfidojë në një gjykatë federale masën e marrë kundër saj.

Kaci Hickox pretendon se është ndjerë si të ishte një kriminele kur u shoqërua nga policët pas kthimit nga Sierra Leone të premten.

Avokati i saj mbrojtës argumenton se rasti i Hickox përbën një shkelje serioze të të drejtave civile. Por autoritetet nuk kanë vonuar të reagojnë, duke njoftuar shkarkimin e saj nga detyra.

Rregullat strikte të vendosjes në karantinë sollën reagimin shqetësues të Shtëpisë së Bardhë dhe kryetarit të Bashkisë së Nju Jorkut. Të gjendur në një stuhi kritikash, guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Como vendosi të dielën lehtësimin e masave.

Ndërkohë, disa zyrtarë të lartë të shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se karantina e detyrueshme ndaj punonjësve të kujdesit shëndetësor që kthehen nga vendet e prekura prej epidemisë mund të dekurajojë vullnetarizmin në Afrikën Perëndimore.

“Mënyra më e mirë për të mbrojtur amerikanët është të ndalohet shpërthimi i epidemisë në Afrikë dhe një nga rrugët për ta bërë këtë është duke mbështetur punonjësit mjekësorë që shkojnë në ato zona në vend që ndaj tyre të merren masa të cilat mund t’i dekurajojnë nga ky veprim”, deklaroi Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar Amerikan i Sëmundjeve Infektive.

Komentet e Faucit erdhën pas vendosjes së rregullave të reja të karantinës në tre shtete të SHBA-së. Nju Jorku, Nju Xhersi dhe Ilinoisi kanë imponuar një karantinë trejavore të detyrueshme për këdo që kthehet nga Afrika Perëndimore dhe që ka qenë i ekspozuar ndaj pacientëve me Ebola.

Guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie e mbrojti rregullin e karantinës në shtetin e tij, duke e quajtur atë të nevojshëm për mbrojtjen e shëndetit publik.

Në një kohë kur Ebola ka mbërthyer vëmendjen e opinionit botëror, ekspertët ngrenë edhe një tjetër shqetësim: kriza aktuale rrezikon të lërë në hije luftën ndaj një tjetër sëmundjeje që bën kërdinë në rajon.

Ata theksojnë se nuk duhen braktisur përpjekjet për frenimin e malarjes, e cila vetëm gjatë 2012-s, në tre shtetet më të prekura nga Ebola sot, ka bërë më tepër viktima se kjo e fundit, duke marre 7.000 jetë njerëzish.

Ndërkohë, po të hënën, një fëmijë 5-vjeçar u testua për Ebola në një spital të Nju Jorkut, pasi kishte vizituar një nga vendet e prekura dhe kishte temperaturë. Autoritetet deklaruan se rezultatet e testit të tij do të dalin më vonë gjatë së hënës.

Top Channel