PS: PD po sulmon INUK për aksionin

27/10/2014 00:00

Socialistët kanë dënuar sulmin, që opozita po i bën INUK-ut. Për partinë më të madhe në pushtet, janë çliruar 98 mijë metër katror hapësirë publike, që sipas tyrë është harruar nga kryebashkiaku Basha, i cili tentoi ta kthente Tiranën në realitetin e viteve ’90.

Opozita duhet të kërkonte falje për situatën e turpshme të betonizimit të kryeqytetit, deklaroi Partia Socialiste.

“Shqipëria nuk kishte pasur kurrë një kryebashkiak që harron se është kryetar Bashkie në mes të mandatit. Kjo shpjegon situatën e çuditshme që kemi sot, kur Lulzim Basha gjen guximin të sulmojë INUK-un se përse po bën punën që duhet ta bënte Bashkia e drejtuar nga Luli, por që nuk arriti kurrë ta bënte. Siç po e tregojnë faktet, skema për zaptimin e hapësirave publike të Tiranës ka qenë edhe më e turpshme dhe më kriminale. Në njërën anë ishte Luli që i nxiste, e në anën tjetër Saliu që i legalizonte, duke dhënë tapi në trotuarë, lulishte e oborre pallatesh. Opozita sot duhet të kërkonte ndjesë për këtë situatë të nxitur nga vet ajo. Por, natyrisht, kjo s’ka për të ndodhur. Sot INUK po u rikthen hapësirat publike qytetarëve të Tiranës. Të gjithë ne, si deputetë të Tiranës, e mbështesim fort aksionin e inspektoriatit dhe e nxisim atë ta çojë deri në fund punën për zhbërjen e paligjshmërisë, që ka hedhur rrënjë me bekimin e Lulzim Bashës dhe Sali Berishës”, u shpreh deputeti socialist Ervin Bushati.

Top Channel