Kore, dënim me vdekje për kapitenin e tragetit

27/10/2014 00:00

Prokurorët në Korenë e Jugut kërkojnë dënim me vdekje për pronarin e tragetit që u mbyt në muajin prill, ku mbi 300 vetë humbën jetën.

Episodi tragjik çoi në kritika të ashpra si për standardet e ulëta të sigurisë, ashtu dhe për menaxhimin që i bëri qeveria krizës.

Shumica e viktimave ishin nxënës të së njëjtës shkollë dhe udhëtimi me traget ishte një ekskursion i organizuar për ta.

Fatkeqësia iu faturua gërshetimit të disa faktorëve, duke nisur nga rikonstruksioni i paligjshëm i disa pjesëve të anijes, ngarkesa mbi kapacitetin e saj dhe drejtimi i tragetit prej një anëtari pa eksperiencë të personelit.

Ndërkohë, mbarë opinioni publik ka mbetur i indinjuar pasi disa të mbijetuar dëshmuan se u ishte thënë nga ekuipazhi që të rrinin në vendin ku ishin në kohën kur trageti nisi të mbytej.

Prokurorët deklaruan se kapiteni Lee braktisi anijen pa bërë asnjë përpjekje për të shpëtuar pasagjerët, raporton agjencia e lajmeve “AFP”.

“Ai nxorri disa justifikime dhe gënjeu. Ai nuk tregoi asnjë shenjë pendese prandaj dhe ne kërkojmë dënimin me vdekje”, deklaroi pala e akuzës. Asnjë person nuk është ekzekutuar në Korenë e Jugut që prej vitit 1997.

Gjatë seancës gjyqësore, kapiteni Lee vazhdimisht tha se, ndihej i turbullt dhe jo në gjendje të kthjellët mendore në momentin që ndodhi incidenti. Megjithatë, ai pranoi se duhet të kishte bërë më shumë për të shpëtuar jetët e pasagjerëve.

Nga ana e tyre, prokurorët kërkuan burg përjetë për tre anëtarë të ekuipazhit, si dhe dënime me nga 15 deri në 30 vjet burg për 11 anëtarët e tjerë të gradave më të ulëta, ndaj të cilëve rëndojnë akuza më të lehta.

Top Channel