Tahiri: Nuk do të jetë vetëm një fushatë

27/10/2014 00:00

Aksioni kundër vjedhësve të energjisë do të kryhet në bashkëpunim të ngushtë më Policinë e Shtetit.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha se kjo nuk është një fushatë, por një operacion që nuk do të ndalet deri në frenimin e vjedhjes së energjisë.

“Disa e paguajnë duke kyrsyer nga të ardhuyrat familjare, disa të tjerë bëjnë biznes, lokal dhe madje fabrika duke vjedhur energjinë elektrike dhe kjo nuk është vetëm e padrejtë, kjo është vepër kriminale që meriton punonjësin e policisë te dera dhe verdiktin e drejtësisë  për të dhënë dënimin e merituar”, tha Tahiri.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa tha se është hartuar një plan i posaçëm në bashkëpunim me punonjësit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për të evidentuar dhe më pas hetuar vjedhësit e energjisë, po edhe bashkëpunëtorët e tyre.

“Ky operacion do të kryhet nëpërmjet veprimeve proceduriale, nëpërmjet krijimit të grupeve hetimore, të cilat do të evidentojnë abonentët e rregullt pa kontratë, si dhe vjedhësit. Këto grupe hetimore do të procedojnë me hetimin e faktit, ekspertimet e ndryshme dhe nisjen e procedurave penale sipas rrethanave, në bashkëpunim me prokuroritë e rretheve gjyqësore”, tha kreu i Policisë së Tiranës.

Çipa tha se Policia e Shtetit do të jetë në krye të detyrës për t`i rikthyer autoritetin shtetit.  

 

Top Channel