SHBA, tjetër vdekje nga masakra në shkollë

27/10/2014 00:00

Vdekja e një vajze të plagosur e çoi në dy bilancin e viktimave të incidentit të konsumuar në një shkollë shtetërore të Uashingtonit të premten, ku një nxënës hapi zjarr duke vrarë në vend një adoleshente e duke lënduar disa të rinj të tjerë.

Familja e 14-vjeçarës Gia Soriano shprëndau një deklaratë ku shprehej “e shkatërruar prej kësaj tragjedie të pakuptimtë”. Emri i viktimës së parë nuk është bërë ende publik.

Tre nxënës të tjerë, përfshirë dy kushërinj të agresorit, mbeten të shtruar në spital. Dy prej tyre janë në gjendje kritike për jetën. Të gjithë ata u qëlluan në kokë pasi adoleshenti nxorri armën dhe filloi të hapte zjarr në kafenenë e shkollës.

Në mediat amerikane raportohet për veprimin heroik të një mësueseje, Megan Silberberger, që vrapoi në vendin e ngjarjes dhe bëri gjithçka mundi për të shpëtuar studentët.

Ndërkohë, vazhdon të mbetet e paqartë nëse Jaylen Fryberg vrau veten qëllimisht pas ngjarjes apo aksidentalisht, teksa luftonte me mësuesen.

Fryberg përshkruhej si një student popullor, edhe pse mesazhet e fundit të postuara prej tij online para sulmit tregonin se ai ishte “lënduar” nga një ngjarje e paspecifikuar.

Një student i së njëjtës shkollë tha për agjencinë e lajmeve “Reuters” se sulmi kishte të bënte me një sherr për një vajzë.

Top Channel