Sulmohet gazetari në redaksi

27/10/2014 00:00

Një gazetar është sulmuar me thikë mëngjesin e së hënës, në vendin e tij të punës në Prishtinë.

Gazetari Milot Hasimja, i televizionit “Klan Kosova”, u godit me thikë nga një qytetar, në kohën që po lexonte një tekst në dhomën e zërit.

Hasimja është dërguar në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare për trajtim dhe, sipas mjekut kujdestar, ai është jashtë rrezikut për jetën.

“Nuk e di, erdhi njëri dhe 4-5 herë më gjuajti nga mbrapa, tentoi të më therrte. Ia hoqa thikën nga dora… Zakonisht unë nuk bëj kronika as për shëndetësi, as për korrupsion, por bëj lajme për motora dhe makina. Kur më ndodh mua kjo, nuk e di, imagjinoni se ç’ndodh me gazetarët e tjerë”, është shprehur gazetari Milot Hasimja.

I pyetur se pse ka hyrë në “Klan Kosova” dhe pse e ka sulmuar Milotin, agresori i identifikuar si 22-vjeçari Sovran Syla ka deklaruar se e ka bërë për shkak të një videoje. Në mediat lokale raportohet se bëhet fjalë për një video me një kronikë të realizuar nga Hasimja 3 vjet më parë dhe ku Syla shfaqet për disa sekonda si një ndër personazhet.

Policia ka nisur hetimet për tentativë vrasjeje për Sovran Sylën, i cili u ndalua nga kolegët e Hasimës dhe u arrestua më pas nga policia.

Rasti u konfirmua për Top Channel nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani. Ai tha se sulmi ka ndodhur rreth orës 10:50, ndërsa Policia e Kosovës ka arrestuar në vendin e ngjarjes një 22-vjeçar, i cili po merret në pyetje nga hetuesia.

Mësohet se i dyshuari ka kërkuar me gjakftohtësi gazetarin në fjalë dhe është lejuar të futet brenda redaksisë, ku edhe ka goditur me thikë në kokë Hasimën.

“Sipas njërit prej atyre që e kanë parë sulmuesin, ka ardhur një djalë i ri dhe ka kërkuar Milotin për të biseduar. Këtu gjatë ditës vijnë me qindra njerëz, që flasin për hallet e tyre, apo japin lëvdatat apo kritikat e tyre për punën tonë. Edhe po të isha unë, nuk do e kisha besuar që po vjen dikush me qëllimin për të vrarë. Ai ka hyrë dhe i kanë treguar se ku ishte Miloti, i cili kishte qenë duke regjistruar zërin për një lajm që kishte pasur sot, në hapësirën e regjistrimit të zërit. Agresori ka hyrë, e ka parë dhe e ka sulmuar menjëherë. Jo nuk kemi sigurim, e thashë edhe më herët që këtu vijnë me qindra njerëz, nga ora 7 kur hapet dera e deri në orën 23 kur mbyllet”, u shpreh Gazmend Syla, Drejtor i Informacionit në Klan Kosova.

Ndërsa sulmuesi ka arritur deri te gazetari, pasi kaloi recepsionin dhe në mungesë të sigurimit në hyrje të objektit.

Shoqatat e gazetarëve në Kosovë e kanë dënuar sulmin si një goditje ndaj fjalës së lirë. Edhe kryeministri i qeverisë së Republikës së Kosovës , Hashim Thaçi, në një deklaratë dënon ashpër sulmin ndaj gazetarit Milot Hasimja dhe konsideron se ky është një akt i drejtuar kundër vlerave të demokracisë, lirive të njeriut dhe shprehjes së lirë.

Top Channel