ISIS, Pentagoni: Po rritet kostoja mesatare ditore e luftës

27/10/2014 00:00

Pentagoni ka përditësuar me rritje shifrat në lidhje me koston mesatare ditore të sulmeve ajrore që ka ndërmarrë kundër militantëve të Shtetit Islamik, gjatë së hënës, duke deklaruar se shifra tashmë është rritur në 8,3 milionë dollarë, apo një total prej 580 milionë dollarësh që nga 8 Gushti deri më 16 Tetor.

Mesatarja e re reflekton në fakt shtimin e intensitetit të operacioneve amerikane kundër grupit të xhihadistëve në Siri dhe Irak. Pentagoni kishte thënë rreth 1 javë më parë, se kostoja mesatare ditore kapte nivelin e 7,6 milionë dollarëve, për një total prej 424 mln USD nga fillimi i sulmeve ajrore më 8 Gusht.

Ndërkohë, Komanda Qendrore e Pentagonit (CENTCOM) ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara kanë udhëhequr 11 sulme ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, këto gjatë së dielës dhe së hënës.

Forcat amerikane ndërmorën 4 sulme në Siri, pranë qytetit të Kobanës në kufi me Turqinë, duke goditur 5 mjete dhe një ndërtesë, që përdoreshin nga grupi i militantëve.

Në deklaratën e publikuar të hënën nga “CentCom” thuhej gjithashtu se në Irak, SHBA-të dhe vendet e tjera partnere kanë ndërmarrë 7 sulme ajrore, përfshi 3 pranë zonës së digës së Mosulit, të cilat goditën një njësi të vogël luftëtarësh të Shtetit Islamik. Të tjerat kanë qenë në zonat pranë Fallujah, Bayji dhe Zumarit.

“Një sulm ajror në Juglindje të Fallujah goditi një njësi të madhe të ISIL, ashtu sikurse dhe një ndërtesë dhe një mjet”, bëri të ditur “CentCom”, duke përdorur të njëjtin emër si në fillimet e tij për Shtetin Islamik, të cilin e konsideron si “Shteti Islamik në Irak dhe Levant”.

Në Bayji, sulmet goditën luftëtarë të Shtetit Islamik, përfshi një njësi të vogël dhe një pajisje ndihmëse shpërthimi, apo IED. Ndërsa në Zumar, sulmet goditën një njësi të vogël dhe shkatërruan 2 ndërtesa që shfrytëzoheshin prej militantëve, sipas deklaratës.

Top Channel