14 vite më parë nisi miti i Vespës në vendin tonë

27/10/2014 00:00

68 vite më parë, në Itali do të krijohej Vespa, motori italian më i famshëm në botë.

E dizenjuar për Piaggion nga inxhinieri i aeronautikës, Corradino D’Ascanio, modeli u bë shumë shpejt i njohur jo vetëm në Itali, por në mbarë botën. Mbase nga zhurma karakteristike, projektuesi i vuri emrin “Vespa”, që do të thotë “grenzë”.

Në fillim të viteve ’90, Vespa u bë pasion edhe për shqiptarët. Tipet e para hynë në vendin tonë prej të huajve, apo nga emigrantët.

Pas 24 vitesh, modeli adhurohet njësoj… Dashamirësit, sot janë mbledhur në takimin e radhës, për të bërë një xhiro grupi në zonën e Farkës. Çdo motor është i personalizuar deri në detaj. Mes tyre gjen vitprodhime të ndryshme, që nga modeli më i vjetër i 1963-shit, e deri te modelet shumëngjyrëshe të pas ’90-s.

“Miqtë e Vespave”, siç vetëquhet grupi, një herë në muaj organizojnë udhëtime të ndryshme në të gjithë Shqipërinë. Kur mblidhen, bëhen mbi 30 motorë vetëm në Tiranë. Shkodra, Durrësi apo Vlora janë disa nga qytetet e tjera, ku “vespistët” kanë krijuar miqësi me pronarët, që i mbajnë motorët me fanatizëm.

Femrat janë të pakta në grup, edhe pse vitet e fundit janë shtuar në numër. Dikur, vlera e një Vespe nuk shkonte më shumë se 20-30 lekë të reja, ndërsa sot, e personalizuar, ajo mund të kalojë vlerën e 3-4 mijë eurove.

Orë të tëra kalohen në garazh, deri sa Vespa të personalizohet sipas shijes së pronarit. Çdo gjë bëhet me dorë dhe kërkon javë, e mbase muaj të tërë punë.

Modeli që po modifikohet së fundi i ngjan avionit reaktiv MIG 21. Dizajni dhe një pjesë e pajisjeve janë marrë nga kabina e pilotimit, duke të krijuar idenë sikur je duke i dhënë një avioni.

Në datë 16 Nëntor, grupi feston 3-vjetorin e krijimit. Edhe pse nuk janë shumë të vjetër si grup, mendojnë që traditën e grumbullimit me dashamirës të Vespave ta vazhdojnë dhe pse jo ta trashëgojnë.

Top Channel