Historia e revolucionit antikomunist hungarez

27/10/2014 00:00

58 vjet më parë, në Hungari shpërtheu revolucioni antikomunist. Pasditen e datës 23 Tetor 1956, mijëra hungarezë dolën në protestë kundër prezencës sovjetike në vendin e tyre, ku u përballën me rezistencën e armatosur.

Demonstratat e organizuara nga hungarezët vazhdonin që prej Qershorit të vitit 1956, kur shenjat e reformës politike në Poloni krijuan mundësinë, që ndryshime të tilla të bëheshin edhe në vendin e tyre.

Protestat shpërthyen në dhunë meqë studentët, punëtorët, madje edhe disa ushtarë, kërkonin më shumë demokraci dhe liri, nga ajo që ata shikonin si një prezencë shtypëse e sovjetikëve në Hungari.

Lideri hungarez, Erno Gero, një stalinist i deklaruar, duke lavdëruar politikat e Bashkimit Sovjetik, egërsoi më tepër turmat. Studentët kërkonin me çdo kusht plotësimin e 16 kërkesave, të cilat ndër të tjera përmbanin: liri dhe të drejta të individit; më shumë ushqime dhe reformë në bujqësi; heqjen e policisë sekrete; heqjen e bustit të Stalinit; zhvillimin e zgjedhjeve të reja me pjesëmarrjen e shumë partive, pra pluralizëm politik; reformimin e sistemit ekonomik; pavarësinë e gjykatave etj.

Në ditët në vazhdim, në këto beteja u vranë qindra protestues, në Budapest dhe në qytete të tjera të Hungarisë. Qeveria kërkoi më shumë mbështetje nga sovjetikët dhe ata i ofruan një divizion të blinduar, që rrethoi Budapestin. Përleshja e rrugëve u shkallëzua në përgjigje të demonstrimit të forcës ruse.

Studentët rrëzuan bustin e Stalinit dhe në sheshin e tij mbetën vetëm çizmet.

13 ditët e revolucionit hungarez përfunduan të dielën e 4 Nëntorit. Budapesti pothuajse ishte shkatërruar tërsisht. Përplasja e armatosur shkaktoi shumë të vrarë.

Edhe historianët ende nuk flasin për shifra të sakta. Të plagosurit ishin me mijëra. Hungaria nuk ishte më një vend i dëshiruar dhe rreth 200 mijë persona u larguan drejt Perëndimit. Në vend u vendos një qeveri demokratike, por jeta e saj nuk ishte e gjatë, pasi komunistët u rikthyen sërish, për t’u rrëzuar përgjithmonë në vitin 1989.

Top Channel