Athina zyrtare ka shprehur kënaqësinë e saj për rezultatet e testit të stresit të bankave kryesore greke, me kryeministrin Antonis Samaras që ka deklaruar se ato kapërcyen çdo pritshmëri dhe se Greqia hap pas hapi, mbi baza të qëndrueshme, po del nga kriza.

Edhe ministri i Financave të vendit ka theksuar se katër bankat kryesore, të njohura ndryshe edhe si bankat sistematike, rezultojnë ndër bankat europiane me rikapitalizimin më të mirë dhe me këtë zhvillim pozitiv konfirmojnë se tashmë po krijohen baza të qëndrueshme që ato të mbështesin fuqishëm rimëkëmbjen e ekonomisë.

Megjithëse sipas testit të stresit të Bankës Qendrore Europiane, lidhur me situatën e kapitaleve të tyre, tre prej bankave greke kanë rezultuar me nevoja për më shumë likuiditete.

Konkretisht vlerësohet se ato nuk do të kenë problem t’i plotësojnë vakumet financiare, përderisa ndodhen në zbatim e sipër projektet për ristrukturimin e tyre, ndërkohë që kanë thithur edhe kapitale shtesë nëpërmjet emetimit të oblgiacioneve, shprehen ekspertët.

“Bazuar në rezultatet e 31 dhjetorit 2013, po, ka pasur tri banka greke që dështuan. Por kur përfshihen veprimet kapitale, që janë kryer në vitin 2014, plus planet e ristrukturimit, në mënyrë efektive, nuk ka praktikisht kërkesa për kapitale shtesë për ndonjë prej bankave greke”, ka deklaruar Nick Koskeletos, analist i Eurobank për “Reuters”.

Ndërkohë, bursa greke nuk i priti pozitivisht rezultatet e testeve dhe aksionet bankare pësuan një rënie të dukshme në ditën e parë të javës. Ka qenë ndërhyrja e Bankës Qendrore të Greqisë që ka qetësuar tregjet dhe bursën vendase.

Në një deklaratë nga ky institucion theksohet midis të tjerash se bankat greke nuk kanë nevojë për kapitale të reja pasi me reformat strukturore që kryen gjatë këtij viti ato kanë mbledhur mjaftueshëm kapitale, ndërsa veçohet fakti se depozitat në to janë rritur për të shtatin muaj rresht me 2.5 mld euro, duke shkuar ne 164.7 mld euro.

Nga ana tjetër, mediat opozitare greke vlerësojnë se shpëtimi i bankave nga falimentimi po paguhet me masa të reja në kurriz të qytetarëve, ndërsa nga mediat e huaja veçohet komenti i “NYT” se testet e stresit për institucionet financiare greke vërtet ishin pozitive, por pasiguria në Greqi mbetet përsëri.

Top Channel