Shtylla dhe Kosta, dy emrat e maxhorancës për anëtarë të KLD-së

27/10/2014 00:00

Pas shkarkimit nga Parlamenti të enjten e kaluar të nënkryetarit të KLD-së, Çefa dhe anëtarit Lelçaj, grupi parlamentar i PS në mbledhjen e së hënës nuk ka vonuar aspak në përzgjedhjen e dy kandidaturave për këto poste.

E para është zonja Albana Shtylla, aktualisht sekretare e përgjithëshme e Kuvendit, e cila do të jetë e vetmja femër anëtare e KLD-së.

Shtylla ka punuar për rreth 20 vjet në shërbimin civil, nga të cilat 8 vjet në kohën e PD si drejtore juridike në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, si dhe është promovuar në atë periudhë drejtore në Drejtorinë e Kodifikimit të Ministrisë së Drejtësisë, drejtuar në atë kohë nga ministri demokrat Eduard Halimi.

I propozuari tjetër është zoti Vangjel Kosta, ish-anëtar i Gjykatës së Lartë në vitet 1993-2000, me emërimin e presidentit të atëhershëm Sali Berisha.

Zoti Kosta është propozuar më pas nga ish-presidenti Bamir Topi për në Gjykatën Kushtetuese por dekreti është rrëzuar nga Partia Demokratike.

Ai punon prej 14 vjetësh në Zyrën e Shërbimit Ligjor FALAS. Të dyja këto kandidatura nuk kanë qenë asnjëherë anëtarë të ndonjë partie politike.

Top Channel