Anëtarët e rinj të Këshillit Mbikëqyrës

27/10/2014 00:00

Parlamenti do të miratojë në seancën e radhës këtë të enjte një projekvendim që i hap rrugë zyrtarisht procesit për emërimet e anëtarëve vakantë në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Në mbledhjen e komisionit të ekonomisë, kryetari Erjon Braçe shpjegoi se cila do të jetë proçedura për zgjedhjen e tyre.

“Ka dy momente të rëndësishme. Së pari, thirrja e Kuvendit kundrejt cilidto që ka interes të kandidojë. Pas thirrjes duhet që 28 deputetë të mbështesin një, dy apo më shumë kandidatura nga ajo listë e paraqitur nga shërbimet e Kuvendit”, deklaroi Braçe.

Komisioni i ekonomisë do të nisë me shqyrtimin e kandidaturave vetëm pasi ata që aspirojnë të zgjidhen në Këshillin Mbikëqyrës të bankave të kenë kaluar më parë këto dy hallka.

“Më pas komisioni i ekonomisë angazhohet për të vlerësuar nga pikëpamja kushtetuese, ligjore dhe e meritës secilin prej kandidatëve të paraqitur nga grupi prej 28 deputetësh”, saktësoi Braçe.

Sipas ligjit, Kuvendi do të emërojë dy anëtarë nga katër vendet e mbetura vakante në Këshillin Mbikëqyrës. Një tjetër anëtar do të jetë propozim i qeverisë, ndërsa i fundit zgjidhet nga vetë Këshilli i bankës.

Top Channel