Në besë të shqiptarit…

27/10/2014 00:00

“Pas ndeshjes me Serbinë, jo pa qëllim u tentua të krijohej imazhi i një
Shqipërie jo tolerante, për më tepër i pushtuar nga nacionalizmi
ekstrem. Por sa i vërtetë është ky realitet, si janë shqiptarët në
shtëpinë e tyre, ose më mirë si janë shqiptarët në fushat e futbollit”.

Është minuta e 40, kur shqiptari Batha jep një asist për serbin Raçiç dhe rezultati shkon në 1 me 0. Dy minuta më pas, Çuçuli, shqiptari nga Maqedonia, kombinon me Fazlliun, shqiptarin nga Kosova, që e kalon topin te Mazrekaj, nga Prishtina. Ky i fundit lëshon përpara serbin Raçiç, që jep një asist për shqiptarin nga Kosova Fazlliu, i cili vulos rezultatin 2 me 0. Në fushë është Partizani, jo ai i Beogradit, por ai i Tiranës.

Fazlliu dhe Raçiç përbëjnë vijën sulmuese të skuadrës. E nëse në Ballkan bashkëjetesa duket e vështirë, në Shqipëri ajo funksionon më së miri. Realiteti shqiptar është i tillë, pavarësisht se dikush kërkoi ta deformonte, e këtë e pohon edhe 30-vjeçari Raçiç, që luan sezonin e parë tek ekipi kryeqytetas, pas një eksperience të gjatë në Serbi, Ukrainë dhe Mal të Zi.

“Ndihem shumë mirë, tifozët më kanë pritur shumë mirë. Ndaj meje të gjithë janë treguar mikpritës. Ndihem mirë në Shqipëri dhe jam i lumtur. Gjithçka shkon super edhe me klubin. Shpresoj që dy-tre vitet e ardhshme të qëndroj këtu, ndoshta edhe deri në fund të karrierës, nuk i dihet asaj. Në fillim nuk e prisja, që Shqipëria do të ishte kaq mirë, jam i befasuar pozitivisht dhe ndihem mirë që jeta është e tillë këtu. Kam qenë në shumë vende, kam luajtur, dhe kaq mirë s’jam ndjerë në asnjë vend”, thotë Stevan Raçiç, futbollist i Partizanit.

Fazlliu mendon se politika nuk ka lidhje me futbollin. Sipas tij, shqiptarët dinë të presin si pak kush në Ballkan. Një futbollist serb nuk ka kurrë probleme në Shqipëri, ndërsa për një shqiptar, sot për sot do të ishte e pamundur të luante në Serbi.

“Mendoj se ky është futbolli, luajmë së bashku te Partizani dhe loja po shkon mirë. Nuk kemi si të ngatërrohemi me punën e politikës, nuk e kemi diskutuar kurrë, nuk jemi futur në gjëra të tilla, kemi bërë punën tonë, atë që na përket në futboll, dhe ky besoj është çelësi i suksesit që po korrim sukses në skuadër”, thotë Astrit Fazlliu, futbollist i Partizanit.

Në cepin tjetër të kryeqytetit, në ish-kompleksin “Dinamo”, Kukësi po kryen stërvitjen e radhës. Mes tyre, 36-vjeçari Ivan Gvozdenoviç, që ka nisur në Shqipëri sezonin e tij të pestë, vrapon anës fushës me kroatin Pero Pejiç.

Lojtari serb flet për tifozeritë shqiptare dhe ndjesinë mjaft pozitive, që i kanë dhënë gjatë të tre ndalesave të tij.

“Kam luajtur 1 vit te Tirana dhe asnjë problem s’kam pasur me tifozët ‘Fanatics’, tifozët kanë qenë shumë korrekt dhe shumë normalë. Pastaj tre vjet te Korça, po njësoj. Korça është një qytet me shumë kulturë dhe me tifozë shumë korrekt. Tani jam këtu te Kukësi, prej tre muajsh, asnjë ndryshim. Lojtarët janë korrekt, klubi është shumë korrekt, tifozët normal dhe, për mua është gjithçka mirë, s’ka asnjë problem sepse unë i respektoj të gjithë dhe të gjithë më respektojnë mua”, tha Ivan Gvozdenoviç, futbollist i FK Kukësit.

Nëse e pyet për ndeshjen Serbi-Shqipëri, Gvozdenoviç është i qartë në përgjigjen e tij.

“Para ndeshjes në Beograd unë dërgova 1 sms ku thashë: Është e rëndësishme vetëm të luhet ndeshja, asgjë tjetër. Fatkeqësisht e pamë se ç’ndodhi atje. U zhgënjeva, nuk ndihem mirë. Për mua është turp”, shtoi më tej Gvozdenoviç.

Teksa skuadra e Kukësit mblidhej pas trajnerit Shaqiri, 112 kilometra më larg në qytetin e Fierit, Apolonia përballej me Dinamon në ndeshjen e vlefshme për Kupën e Shqipërisë.

Përfundimi ishte 4 me 0 për Apoloninë, mes të cilëve, dy gola shënohen nga serbi Rajkoviç. Djaloshi 21-vjeçar ka ardhur këtu nga ekipi i dytë i Partizanit të Beogradit, ku ka gjetur – siç thotë – një mikpritje të rrallë.

“Populli është shumë i mirë, vërtet. Serbët me shqiptarët nuk janë njësoj, por mua më pëlqen mentaliteti i shqiptarëve. Nëse gjithçka do të shkojë mirë, do të doja të rrija, sepse kurrë nuk kam pasur probleme. Shqiptarët janë popull i mirë dhe që e do futbollin , kjo më pëlqen shumë”, thotë Marko Rajkoviç, futbollist i Apolonisë.

Te klubi i Apolonisë luajnë plot tre lojtarë serbë. Vilson Çakoviç, ish-lojtar i kombëtares së 21-vjeçarëve të Serbisë, luan në Fier në sezonin e tij të tretë.

“Mentaliteti i njerëzve është shumë i mirë, e pëlqejnë futbollin dhe i pëlqejnë serbët. Kam shumë miq, shkoj në Tiranë, udhëtoj dhe ndihem mirë. Pas ndeshjes Serbi-Shqipëri ndihesha i çuditshëm, sepse ishte një ndeshje që po e prisnim dhe ju e patë çfarë ndodhi… Por unë s’kam probleme, djemtë më kuptojnë mua dhe unë i kuptoj ata. Jemi të përqendruar te futbolli, jo te politika”, thotë Vilson Çakoviç, futbollist i Apolonisë.

Nuk ndryshon në qëndrim as serbi i tretë, Djorde Djordeviç, edhe ai i ardhur nga një ekip i Beogradit, Sindeliç.

“Ndihem mirë në Fier, i gjithë populli është i mirë në qytet dhe në klub. Janë shumë të mirë me ne nga Serbia. Për mua gjithçka është si në Serbi, populli na ka mirëpritur. Pëlqejnë futbollin, si në Serbi. Për mua nuk ndryshon asgjë. Ndihem si në shtëpi”, thotë Djorde Djordevic, futbollist i Apolonisë.

Në shtëpinë e tij ndihet Djordeviç, në shtëpinë e tij e kanë bërë të ndihet tifozët e Vllaznisë së Shkodrës edhe Ersin Mehmedoviçin, një futbollist 33-vjeçar me një eksperiencë të gjatë në kampionatin rumun, atë kazakistanas dhe atë serb. Shkodranët, ashtu si tiranasit e fierakët, kanë ditur të hapin pa paragjykim dyert për futbollistët serbë.

“Kam ardhur dhe e kam gjetur veten shumë shpejt, nuk kam patur asnjë problem. Unë kisha dëgjuar për Shkodrën, që kishte shumë tifozë. Kur kam ardhur e kam besuar, sepse kur kam luajtur ndeshjen e parë këtu me Kukësin, kam parë që stadiumi u mbush plot dhe se Shkodra ka tifozë të zjarrtë, të rregullt dhe të sinqertë. Unë kam ardhur të luaj dhe kurrë s’kam menduar që mund të kem probleme, as në Shqipëri dhe askund tjetër. Unë kam ardhur këtu të luaj për ekipin dhe s’kam asnjë ndrojtje. Ndihem shumë mirë dhe do të jap më të mirën time”, thotë Ersin Mehmedoviç, futbollist i Vllaznisë.

Ka shumë futbollistë të tjerë serbë, që luajnë në kampionatin shqiptar, ashtu siç ka maqedonas, bullgarë, malazezë, kroatë, e kështu me radhë. Askush nuk është paragjykuar ndonjëherë, askush nuk është pritur me gjuhën e ekstremizmit, siç ndodhi në Beograd. Shqiptarët nuk e njohin një gjuhë të tillë, ndoshta sepse nuk i kanë borxh askujt.

Ndaj, kush flet e komenton për Shqipërinë e shqiptarët, apo kërkon t’i barazpeshojë me huliganë ekstremistë, duhet më parë të vijë e të shohë një ndeshje futbolli në këtë vend. Në Shqipëri kanë luajtur të gjithë dhe po të gjithë kanë ikur siç kanë ardhur, pa rënë kurrë prè e problemeve të krijuara nga tifozeria. Urrejtja etnike nuk ekziston, sepse as dhuna, as urrejtja nuk janë fitore, të paktën për shqiptarët jo. Përkundrazi, janë armë në dorën e frikacakëve dhe asgjë tjetër, e shqiptarët nuk janë të tillë.

Top Channel