Ukrainë, koalicion Poroshenko-Yatseniuk

27/10/2014 00:00

Presidenti dhe kryeministri ukrainas deklaruan se në fund të procesit të votimit do të krijojnë një koalicion të përbashkët.

Nga rezultatet e deritanishme, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës, partia e Yatseniuk dhe ajo e Poroshenkos janë në krye, me më shumë se 21% të votave. Pra, një marrëveshje paszgjedhore sjell një fitore dërrmuese të partive pro-perëndimore.

Megjithatë, presidenti Poroshenko i la të hapura bisedimet për parti të tjera, të cilat do duan t’i bashkohen koalicionit. Ndërkaq, presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, tha se rezultati i deritanishëm, por që me shumë gjasa do të jetë edhe përfundimtar, është një “fitore e demokracisë”, si edhe një përqasje pro-evropiane.

Ndërsa për sa i përket frikës së Kievit, se mos Moska do t’i kundërpërgjigjej zgjedhjeve parlamentare atje, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u shpreh:

“Është shumë e rëndësishme për ne si Rusi, që Ukraina të krijojë një qeveri uniteti, në të cilën autoritetet nuk do të përplasen me njëri-tjetrin, por do të merren me problemet reale të vendit”, ka thënë Lavrov.

Votimet erdhën në një kohë krize mes Ukrainës dhe Rusisë për çështjen e aneksimit të Krimesë. Ky është një moment, kur Ukraina ndodhet në një kolaps të rëndë energjitik, pasi Rusia i ka ndërprerë furnizimin me gaz për shkak të mosmarrëvshjeve mbi faturat e papaguara.

Top Channel