Tahiri: Unioni të reagojë për vendimet skandaloze

27/10/2014 00:00

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka vijuar të hënën në rrjetet sociale pretendimet e tij për dështimin e sistemit të drejtësisë në ndëshkimin e autorëve të veprave të rënda penale.

Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, duke iu përgjigjur reagimit të Unionit të Gjyqtarëve, Tahiri është shprehur se gjyqësori nuk duhet t’u trembet vërejtjeve, por vartësisë nga korrupsioni.

“Nuk mund të ketë pavarësi nga ankesat apo vërejtjet, por pavarësi nga korrupsioni dhe pazaret me drejtësinë. Pavarsia e gjyqësorit nuk mund të jetë pavarësi hermetike e korporatës nga çdo gjykim e vlerësim i jashtëm, por kapacitet për të garantuar ligjin, transparencën, drejtësinë dhe paanshmërinë nga korrupsioni, pushteti, paraja e shumë të tjera”, ka thënë Tahiri.

Duke vijuar me reagimin e tij, Tahiri ka vënë në dukje se, asnjë union gjyqtarësh apo shoqatë tjetër nuk ka reaguar për vendimet skandaloze të gjyqësorit. “Këto e cënojnë pavarësinë më shumë se gjithçka tjetër”, ka nënvizuar Tahiri.

Më tej në deklaratën e tij ministri i Brendshëm ka paraqitur 10 raste, ku persona të akuzuar për krime të rënda si vrasje me paramendim, trafik droge, apo edhe armëmbajtje pa leje dhe marrëdhënie me dhunë me të mitur, ose janë dërguar në arrest shtëpie ose janë dënuar me detyrim paraqitjeje.

Top Channel