SHBA, udhëzime të reja për Ebolën

28/10/2014 00:00

Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë do të monitorojnë punonjësit e këtij sektori që kanë mjekuar pacientët me Ebola në Afrikën Perëndimore, në bazë të rregullave të reja.

Udhëzimet e përditësuara të publikuara të hënën parashikojnë që shumë mjekë të kontrollohen për simptoma për 21 ditë, por pa kërkuar karantinë apo izolim.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon më herët dënoi masën që parashikonte karantinë të detyruar. Virusi i Ebolës që ka rënë në Afrikën Perëndimore ka prekur deri më tani mbi 10 mijë njerëz dhe vrarë rreth 5 mijë.

Njoftimi i administratës amerikane vjen pasi një infermiere u ankua për izolimin e saj në Nju Xhersi dhe më pas u lejua të shkonte në shtëpi.

Duke sfiduar udhëzimet e reja, guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie mbrojti izolimin e imponuar ndaj infermieres Kaci Hickox pasi ajo u kthye nga Sierra Leone.

“Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha ai, duke rënë ndesh me qëndrimin e Ki Moon, që tha se, ata që ofrojnë ndihmë në zonat e prekura nuk duhet të bëhen subjekte të kufizimeve që nuk bazohen tek shkenca.

“Ata që rezultojnë të infektuar duhen mbështetur, jo damkosur”, tha numri një i Kombeve të Bashkuara. Personat nuk konsiderohen të prekur derisa ata shfaqin simptomat e Ebolës.

Rregullat e reja për të lejuar monitorimin e njerëzve në rrezik u njoftuan pas rritjes së shqetësimeve mbi ata që kishin udhëtuar në zonat e prekura nga Ebola.

Tre shtete amerikane, përfshirë Nju Xhersin, kishin deklaruar se do të kërkonin një karantinë 21-ditore për të gjithë punonjësit e shëndetësisë që kishin qenë në kontakt me pacientë të infektuar nga virusi.

Top Channel