Meksikë, kërkime për tjetër varr masiv

28/10/2014 00:00

Autoritetet meksikane që po hetojnë zhdukjen e 43 studentëve që u zhdukën pas një proteste të muajit të kaluar po dyshojnë se ata mund të ndodhen në një varr masiv.

Prokurori i përgjithshëm Jesus Murillo Karam deklaroi se dëshmia e dy anëtarëve të bandës së drogës i ka çuar ata tek vendi ku supozohet se të rinjtë janë varrosur, në shtetin jugor të Gerreros.

Në mediat lokale raportohet se studentët ju dorëzuan një grupi kriminal nga policia lokale. Më herët gjatë muajit një tjetër varr masiv u zbulua, por trupat e gjetur në të nuk u përkisnin studentëve.

Dhjetra persona janë arrestuar lidhur me këtë çështje, ndërkohë që guvernatori i shtetit ka dhënë dorëheqjen.

Kryetari i bashkisë së qytetit Iguala, ku kanë ndodhur dhe rrëmbimet, bashkëshortja e tij dhe shefi i policisë janë në kërkim nga autoritetet. Ata dyshohet se urdhëruan policinë që t’ua dorëzonte studentët kartelit të drogës.

Dëshmitarë deklarojnë se kanë parë studentët të rrihen në furgonët e policisë, pasi kjo e fundit u kishte qëlluar me armë autobusëve të tyre, duke vrarë tre të rinj.

Varreza e fundit ndodhet në qytetin Kokula, rreth 17 kilometra nga vendi ku studentët u panë për herë të fundit. Kryeprokurori Murillo Karam deklaroi se dy nga të dyshuarit e arrestuar të hënën mund të ketë ofruar informacione të dobishme.

Ai tha se, ata kanë pranuar se kishin marrë në dorëzim grupe të ndryshme të rinjsh natën e 26 shtatorit, kur 43 studentët u panë për herë të fundit.

Top Channel