Pengu britanik: Beteja në Kobane drejt fundit

28/10/2014 00:00

Pengu britanik John Cantlie është shfaqur në një video të re të Shtetit Islamik, ku thotë se flet nga qyteti sirian Kobane.

Në atë që duket një fjalim i imponuar, Cantlie thotë se beteja për qytetin në kufirin me Turqinë thuajse ka mbaruar dhe militantët po zënë vend atje.

Ai u referohet ngjarjeve në dy javët e fundit, përfshirë furnizimin nga ajri me armë të luftëtarëve kurdë nga Shtetet e Bashkuara. Kobane ka përjetuar luftime të dhunshme mes milicisë kurde dhe ISIS-it.

Kjo është e fundit e një seri videosh ku shfaqet gazetari 43-vjeçar, që është rrëmbyer nga fundi i vitit 2012. Videoja, që zgjat pesë minuta dhe 32 sekonda, tregon edhe pamje nga ajo që grupi terrorist pretendon të jetë një dorn i rrëzuar prej tij.

“Tani beteja për Kobanen po arrin fundin. Muxhaheidinët po vendosen rrugë më rrugë dhe ndërtesë më ndërtesë. Në sfond mund të dëgjohen të shtëna sporadike si rezultat i këtyre operacioneve”, tha Cantlie.

Kobane ka qenë nën sulm nga militantët e ISIS prej disa javësh. Të hënën e kaluar, militantët ndërmorrën një ofensivë në të gjitha frontet ndaj luftëtarëve kurdë.

Publikimi i videos vjen pas vdekjes së babait të Cantlie, Paul, që kishte regjistruar një video nga spitali duke i kërkuar ISIS që të lironte djalin e tij. Edhe Jessica Cantlie, motra e pengut, ka apeluar gjithashtu për kontakte direkte me militantët.

Javën e kaluar u publikua një tjetër video e ISIS-it ku gazetari thoshte se të burgosurit në duart e grupit që ksihin tentuar të arratiseshin ishin ndëshkuar me teknikën torturuese të njohur si “waterboarding”.

Gjithashtu, ai lexoi një mesazh të shkruar në të cilin kritikohej qëndrimi i SHBA dhe Mbretërisë së Bashkuar ndaj negociatave për pengjet.

Top Channel