Itali, presidenti dëshmon në gjyqin ndaj mafias

28/10/2014 00:00

Presidenti i Italisë ka dëshmuar të martën në një proces gjyqësor të profilit të lartë
në qendër të të cilit janë mafia dhe kontaktet e saj me institucionet.

Prokurorët po hetojnë një bashkëpunim të mundshëm mes ministrave, shefave të policisë dhe mafias, për t’i dhënë fund akteve të dhunës në fillim të viteve ’90.

Ata kanë mbërritur në selinë presidenciale në Romë në orët e mëngjesit, ndërkohë që seanca e pyetjeve është mbyllur në orët e drekës.

Sipas një njoftimi për shtyp të Kuirinales, kreu i shtetit u është përgjigjur të gjitha pyetjeve pa rezerva, përfshirë atyre të bëra nga avokati i bosit Toto Riina.

Napolitano, 89 vjeç, ka mohuar disa herë të ketë pasur dijeni për një ndërmjetësim të tillë mes shtetit dhe mafias. Gjithashtu, për momentin nuk ka asgjë që të sugjerojë se ai ka qenë i përfshirë në një proces të tillë.

Ndërsa politikanët e opozitës kishin kërkuar që dëshmia e kreut të shtetit të mos mbahej me dyer të mbyllura.

Prokurorët po hetojnë periudhën dramatike të dhunës së mafias në fillim të viteve ’90, e shënuar nga atentate me bombë dhe ekzekutime. Ata akuzojnë struktura të shtetit se bënë një marrëveshje ilegale me Cosa Nostran për t’i dhënë fund dhunës.

Korrespondenti i BBC në Romë thotë se hetuesit dyshojnë se presidentit mund t’i jetë thënë diçka mbi këtë marrëveshje në vitet e fundit dhe donin ta pyesnin për atë që di ai.

Në tetor të vitit të kaluar, Napolitano i shkroi një letër gjykatës duke thënë se “nuk dinte asgjë të dobishme” që mund të ofronte, por u shpreh i gatshëm që gjithësesi të dëshmonte.

Prokurorët dyshojnë se, zyrtarë shtetërorë u premtuan bosëve të krimit lehtësim të kushteve të burgut në këmbim të uljes së dhunës.

Dy figurat kryesore në luftën kundër mafias, Giovanni Falcone dhe Paolo Borselino humbën jetën nga e ashtuquajtura “periudha e bombave” në Siçili.

Top Channel