Paditet ish-drejtori i Emergjencave

28/10/2014 00:00

Ministria e Brendshme njofton se ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e
Rrethit Gjyqësor Tiranë për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i
detyrës”, per 5 ish-funksionare të Ministrisë së Brendshme.

Ata jane Alfred Olli, ish-drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile; Maksimiljan Dhima, drejtor i Drejtorisë së Planifikimit dhe Koordinimit në Drejtorinë e Emergjencave Civile Arben Qesaraj, specialist, Adem Kapo, ish-specialist. Ata akuzohen se kane shkelur ligjin duke  dhënë fonde për pesë persona me aktivitet tregtar në shumën 1,000,000 lekë.

Përveç vlerës së dëmit ekonomik në shumën e mësipërme, është krijuar mundësia e dëmit ekonomik për detyrimin e buxhetit të shtetit edhe ndaj 31 personave me aktivitet tregtar privat në shumën 143 milione lekë. Janë akorduar fonde në shumën 58 milione lekë, për emergjencën e krijuar nga rreshjet e dëborës, pa dokumentacion justifikues.

Janë dhënë fonde për emergjencë, në kundërshtim me ligjin për 11 njësi të qeverisjes vendore në shumën 3 milione lekë. Janë akorduar fonde për ndihmë në katër raste për shumën 600 mije lekë, pa asnjë dokumentacion.  Mungojnë dy skafe me vlerë 1.1 milione lekë.

Gjithashtu eshte kallëzuar penalisht per shperdorim detyre edhe Drita Avdyli, ish-drejtoreshë e  Drejtorisë së Shtetësisë dhe Refugjatëve. Nga auditi i kryer ka rezultuar se Avdyli është përgjegjëse për shpërdorim detyre, në procedurat për fitimin, rifitimin dhe heqjen dorë nga shtetësia shqiptare si dhe keqmenaxhimin e aktiveve, me pasoja financiare në buxhetin e shtetit në vlerën 245 125 lekë.

Top Channel