Marrëveshje Shqipëri-Luksemburg

28/10/2014 00:00

Shqipëria dhe Luksemburgu nënshkruan marrëveshjen për mbrojtjen
sociale,  sipas versionit të pajtuar mes palëve në fund të janarit.

Ajo u firmos në Ministrinë e Luksemburgut për Sigurinë Sociale nga Ministri Erion Veliaj dhe homologu i tij, Roman Schneider dhe pritet të hyjë në fuqi këtë verë, pas ratifikimit nga parlamentet respektive.

“Besoj se ky është një akt i rëndësishëm sepse bëhet fjalë për një konventë në fushën e sigurimeve shoqërore që ne firmosim sot me Shqipërinë dhe në njëfarë mënyre është themeli i marrëdhënies sonë, njësoj dhe për pikat e përcaktuara të sigurimeve shoqërore, që mbulojnë personat e siguruar dhe ndërmarrjet, si ato shqiptare, ashtu dhe luksemburgase. Ky nënshkrim është hapi i parë, sepse duhet ratifikuar nga Parlamenti i Luksemburgut. Kjo do të thotë që tashmë ne do ta fusim si projektligj për t’ia paraqitur Dhomës së Përfaqësuesve dhe  i transmetohet Këshillit të Shtetit. Kjo do të diskutohet nga komisionet, por nuk është procedurë që zgjat shumë sepse bëhet fjalë për një marrëveshje bilaterale, si shumë të tjera që kemi me shtete të ndryshme, ndaj besoj se do të kalojë shpejt, në mes të Korrikut. Maksimumi në korrik 2015 gjithçka përfundon me votimin nga Dhoma e Deputetëve”, thotë Schneider.

“Mendoj se brenda fundit të këtij viti edhe parlamenti ynë do ta ratifikojë këtë marrëveshje,por sigurisht kjo është në një kontekst më të gjerë. Në datën 1 Janar fillon reforma e re e pensioneve dhe ajo që po mundohemi të bëjmë me këto marrëveshje është që t’u themi shqiptarëve se nuk ka rëndësi ku punojnë, në Shqipëri apo vend tjetër të BE-së, përsa kohë që deklarohen, e gjithë periudha e pensioneve do të njihet. Ky është një apel ndaj qytetarëve që në datën 1 Janar fillon një ligj i ri, një sistem i ri, një formulë e re, e cila kërkon që vitet të shumëzohen me rrogat. Kjo do të thotë se deklarimi i çdo dite, çdo jave, çdo muaji, çdo viti, dhe deklarimi i çdo rroge është formula ideale, e cila prodhon mundësinë për të pasur një pension më të lartë”, tha Veliaj.

Marrëveshja me shtetin më të vogël themeltar të BEsë renditet e dyta, pas firmosjes me Belgjikën,dhjetorin e kaluar dhe  njeh kontributet shoqërore të detyrueshme shtetërore të paguara ndër vite, sipas profesioneve të përcaktuara, me përjashtime për disa kategori si diplomatët, apo kompanitë e shërbimit transport.  

Por, më shumë se një përmbledhje e vlerës monetare të kontribuesit, marrëveshja pranon sistemet shoqërore në vendet respektive me qëllimin për të garantuar njohjen e viteve të nevojshme të punës për të dalë në pension, sipas rregullave të shtetit ku jetohet, ndërsa autoritetet e palës tjetër transferojnë llogaritë e grumbulluara në fondet e pensionit.

“Kjo do të thotë që për vendet që kanë një shumicë të madhe shqiptarësh, sigurisht që negociata është më e vështirë. Vërtet Luksemburgu ka vetëm 2000 shqiptarë, por na siguron që të krijojmë një precedent. Me Belgjikën e Luksemburgun kemi një precedent solid, mbi të cilin tashmë po punojmë për të vazhduar dhe me vende të tjera. Në momentin që kjo marrëveshje do jetë nënshkruar dhe me një grup vendesh të tjera të BE-së, besoj që dhe negociatat me Italinë e Greqinë do të jenë pak më të lehta”, theksoi Veliaj.

Pergatiti ARTA TOZAJ

Top Channel