Qeveria e Vojovdinës ka vendosur të dëmshpërblejë bukëpjekësit shqiptarë dhe objektet e sulmuara pas ndeshjes Shqipëri-Serbi.

Janë 15 objekte të dëmtuara si pasojë e agresionit që erdhi pas incidenteve që ndodhën në ndeshje dhe ato do të marrin 5.7 milionë dinarë serb, ose rreth 50 mijë euro.

Ky vendim, i marrë në një mbledhje të qeverisë krahinore, tenton të tregojë kujdesin e këtij institucioni. Politikanët e Vojvodinës janë munduar të përçojnë mesazhe pozitive duke thënë se kjo nuk është fytyra e vërtetë e vendit të tyre, pasi aty jetojnë mbi 60 kombe të ndryshme.

Gjithashtu, ka edhe shumë refugjatë të luftërave të fundit. Vojvodina, edhe pse është e njohur për tolereancë dhe ka mbi 10 gjuhë zyrtare, gjithmonë pas incidenteve me shqiptarët prodhon reagime të tilla.

Nga ana e qytetarëve ka pasur protesta për parandalimin e dhunës, ndërsa policia deri tani ka arrestuar disa persona të cilët dyshohet të jenë tifozë të klubeve lokale të futbollit.

Top Channel