Thaçi: Koha e liderëve të dështuar ka marrë fund

28/10/2014 00:00

Kryeministri dhe kryetari i PDK, Hashim Thaçi ka postuar në Facebook reagimin e radhës lidhur me bllokimin institucional.

Pa përmendur emra, por duke aluduar për liderët e bllokut paszgjedhor, ai shkruan se: “Koha kur Kosova qeverisej nga liderë që përjetësisht nuk kanë arritur të fitojnë numra dyshifrorë në zgjedhje të lira ka mbaruar përgjithmonë”.

“Qeveria e re e vendit do të ndërtohet duke respektuar rezultatin zgjedhor të 8 qershorit dhe duke respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Kosovës i duhen institucione të qëndrueshme, efektive dhe shumë përfshirëse të fokusuara në krijimin e vendeve të reja të punës“, deklaron Thaçi.

Javën e kaluar, elementë të PDK-së vlerësuan se zgjedhjet e reja në Kosovë mbeten një opsion real nëse nuk arrihet një marrëveshje ndërmjet partive politike.

“Si anëtar i partisë më të madhe në Kosovë nuk do të doja të organizoheshin zgjedhjet e reja, por nëse nuk krijohen institucionet, sigurisht që jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje dhe të tregojë edhe një herë sovrani se kush ka të drejtë t’i krijojë institucionet”, deklaroi Basri Musmurati, sekretar i përgjithshëm i PDK-së për gazetën “Epoka e Re”.

Nga ana tjetër partitë e bllokut thonë se nuk është e nevojshme që vendi të shkojë në zgjedhje përderisa ekziston shumica parlamentare. Lideri i LDK-së, Isa Mustafa tha për të njëjtën gazetë se, nuk sheh asnjë arsye për zgjedhje të reja, pasi sipas tij, ekziston shumica në Kuvend.

Top Channel