21 të arrestuar për vjedhjen e energjisë

28/10/2014 00:00

Në ditën e parë të operacionit mbarëkombëtar ndaj atyre që vjedhin energjinë elektrike, numri një policisë së Tiranës, Ardian Cipa, së bashku me kreun e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, në një dalje të përbashkët për median i bënë një bilanc zbatimit të planit të përbashkët të masave gjatë ditës së martë.

Të gjithë komisariatet e Policisë së Tiranës, deklaroi Cipa, kanë qenë në terren së bashku me punonjësit e OSHEE-së.

“Operacioni u shtri në disa zona të kryeqytetit, të evidentuara më parë si zona problematike në drejtim të abuzimit me energjinë elektrike. Grupet hetimore të ngritura për këtë qëllim, duke koordinuar punën me punonjësit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, mundësuan arrestimin e 21 personave, të cilët u kapën në kushtet e flagrancës me lidhje të dyta apo duke vjedhur energji. Në prangat e policisë ka rënë edhe një punonjës i OSHE-së me detyrë faturist. Ali Malaj, punonjës i Drejtorisë Rajonale Tiranë Njesia Nr.3, me detyrë faturist, është arrestuar për veprën penale të ‘shpërdorimit të detyrës’, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.”, tha Çipa.

Në çdo rast,  theksoi Çipa, janë kryer veprimet proceduriale për të dokumentuar faktin e vjedhjes, po ashtu, është bërë sekuestrimi me cilësinë e provave materiale të mjeteve dhe sendeve që kanë shërbyer për vjedhjen e energjisë. Kreu i OSHEE-së Arben Seferi dha edhe disa detaje të tjera.

“Sot kemi vepruar në bazë të planit dhe zonave të cilat kishim planifikuar dhe kjo ka rezultuar në kapjen në flagrancë të 21 bizneseve. Nuk jemi marrë me qytetarët, me familjarët por jemi marrë me vjedhësit e energjisë elektrike që përdorin energjinë për qëllime fitimi”, deklaroi Seferi.

Ministri i Energjisë tha se në këtë fazë të parë operacioni do të përqëndrohet vetëm tek bizneset, ndërsa më pas edhe tek konsumatorët familjarë.

“Jemi duke vepruar në pika të ndryshme të Tiranës dhe ky operacion do të shtrihet në shkallë të gjerë në të gjithë Shqipërinë dhe ditë për ditë do të shikoni që do të kemi raste konkrete të ndëshkimeve dhe personave abuzues. Çdo ditë të keni numrin e personave të arrestuar”, tha Gjiknuri.

Aksioni ka nisur në mëngjes në të gjithë vendin, ndërkohë që Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri ishte vetë në krye të një prej grupeve të OSHEE-së.

“Qytetarët që janë debitorë do t’ju ndërpritet energjia dhe ata që do të tentojnë ta rilidhin energjinë pa autorizimin e korporatës do të kryejnë edhe ata një krim sepse është një ndërhyrje e paligjshme në rrjet. Në momentin që vjen autoriteti i Kompanisë dhe ndërpret energjinë elektrike, kushdo që e rilidh atë do të përballet me forcën e ligjit”, tha Gjiknuri.

Qeveria thotë se për shkak të humbjeve të energjisë elektrike që vijnë si pasojë e vjedhjes së energjisë, financat publike humbasin çdo vit rreth 150 mln euro.

Top Channel