Peshmergat kurde drejt Kobanës

28/10/2014 00:00

150 trupa kurde Peshmerga fluturuan nga Irbili në Irak drejt Turqisë nga ku planifikojnë të hyjnë në periferitë e Kobanes për të luftuar ekstremistët e ISIS.

Javën e kaluar Turqia pranoi të lejojë në territorin e saj luftëtarët kurdë që t’i bashkohen rezistencës ndaj ekstremistëve xhihadistë në Kobane, qyteti në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë i rrethuar prej fillimit të shtatorit.

Armët e rënda të 150 trupave Peshmerga do të transportohen nga toka. Më herët në një intervistë për BBC, Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu mohoi akuzat se vendi i tij nuk po bën mjaftueshëm në betejën kundër ISIS.

“Të shpëtohet Kobane, të rimerret nën kontroll Kobane dhe rrethinat e tij është i nevojshëm një operacion ushtarak në shkallë të gjërë”, tha ai.

Davutoglu bëri të qartë se forcat turke nuk do të përfshihen në asnjë operacion ushtarak ndërkombëtar në Siri nëse objektiv nuk është edhe rrëzimi i Bashar al Assad.

“E vetmja mënyrë për të ndihmuar Kobanen, në një kohë kur vendet e tjera nuk dëshirojnë dërgimin e trupave në terren, është dërgimi i trupave të moderuara si Peshmerga apo të Ushtrisë Siria e Lirë”, tha kryeministri turk.

Më herët parlamenti i Republikës Autonome Kurde në veri të Irakut autorizoi dërgimin e 150 luftëtarëve në mbrojtje të qytetit me shumicë kurde në Siri.

Por pavarësisht deklaratave dhe zotimeve të autoriteteve turke, një komandant i lartë Peshmerga tha për CNN se ka patur pengesa në transportin e tyre. Ai thotë se ka raportime për pengesa të nxjerra nga Turqia për njësitë e mbrojtjes kurde në Kobane.

“Nuk ka asnjë problem politik. Nuk ka asnjë problem në rrugën për të tejkaluar kufirin”, u kundërpërgjigj këtyre akuzave Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.

Në terren ka një mungesë të madhe koordinimi mes kurdëve dhe kjo jo për faj të tyre. Njësitet mbrojtëse të Kobanes thonë se nuk kanë asnjë informacion se kur mund të mbërrijnë trupat Peshmerga dhe i vetmi burim informacioni për ta janë rrjetet sociale nga ku njihen me lëvizjet e trupave që pritet të përforcojnë mbrojtjen e qytetit.

Ditët e fundit ISIS fitoi sërish terren, pavarësisht bombardimeve të koalicionit ndërkombëtar të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara. Informacionet thonë se më shumë se gjysma e qytetit është nën kontrollin e ekstremistëve që vazhdojnë të përparojnë.

Më shumë se 800 persona kanë gjetur vdekjen që prej nisjes së sulmeve në Kobane nga ISIS në fillim të muajit shtator, ndërkohë që 200 mijë të tjera, kryesisht kurdë kanë kaluar kufirin dhe janë strehuar në kampet humanitare në Turqi.

Top Channel