Kodi i ri, fillon aplikimi i patentës me pikë

28/10/2014 00:00

Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto bëri të ditur se menjëherë
pas miratimit të ndryshimeve në Kodin Rrugor do fillojë të zbatohet
sistemi i pikëzimit të patentave.

“Menjëherë bëhet automatike aplikimi i sistemit të pikëve për patentat, që do të thotë me miratimin e këtyre amendimeve, fillojmë menjëherë sistemin e aplikimit të pikëzimit”, tha Haxhinasto.

Patenta do të ketë në total 20 pikë, sipas sistemit italian dhe me vendim të Këshillit të Ministrave, janë përcaktuar se sa pikë hiqen për çdo shkelje. Kur pikët e mbetura shkojnë në zero, drejtuesve u hiqet patenta.

Të dhënave zyrtare tregojnë se mbi 60 për qind e aksidenteve në Shqipëri ndodhin për shkak të gabimeve njerëzore. Në kodin e ri, Qeveria ka parashikuar ashpërsimin e masave ndëshkuese, veçanërisht rritjen e fortë të gjobave, çka ka hapur një debat të fortë edhe politik. Por ministri i Transportit tha se këto masa nuk kanë asnjë qëllim tjetër vetëm mbrojtjen e jetës së vetë qytetarëve.

“Të reduktosh numrin e vdekjeve, të themi 35 raste t’i reduktosh ato në vit, besoj që duhet ta shohim në këtë këndvështrim, kemi shpëtuar 35 jetë dhe kjo është shumë e rëndësishme për misionin që kemi”, tha Haxhinasto.

Në  Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, kreu i Transporteve bëri të ditur se përmes Kodit të ri mbrohen edhe rrugët nga shkatërrimi, ndërkohë që deklaroi se paketa e ndërhyrjeve përfshin edhe disiplinimin e pikave të karburanteve.

Top Channel