Papa: Teoria e evolucionit është e drejtë. Zoti s’është magjistar

28/10/2014 00:00

Pas qendrimeve të zbutura ndaj homoseksualëve, Papa Françesku bëri publik qendrimin revolucionar të Vatikanit edhe sa i përket marrëdhënieve mes fesë dhe shkencës.

“Teoria e evolucionit dhe ajo e Big Bang-ut janë të sakta sepse Zoti nuk është një magjistar me shkopin magjik”, deklaroi kreu i Kishës Katolike gjatë një fjalimi në Akademinë e Shkencave të Selisë së Shenjtë.

“Kur lexojmë apo flasim për krijimin dhe fillesën rrezikojmë të imagjinojmë Zotin si magjistar me një shkop magjik në dorë në gjendje për të bërë gjithçka. Kjo s’është e vërtetë”, tha Papa Françesku.

Ai shtoi se Zoti krijoi njeriun dhe më pas e la atë të zhvillohet sipas ligjeve të brendshme dhe të natyrës që ia dha gjithësecilit.

Kreu i Vatikanit tha se evolucioni nuk bie ndesh me nocionin fetar të krijimit, “sepse që të ketë evolucion, nevojitet krijimi i qënieve që më pas të evoluojnë”. Qendrimi i Françeskut përshtatet më së shumti me atë të Papa Piut XII, i pari që i hapi dyert e Vatikanit idesë së evolucionit dhe mirëpriti teorinë e Big Bang-ut, ndërsa në vitin 1996, Papa Gjon Pali II shkoi edhe më tej kur deklaroi se evolucioni ishte më shumë se një hipotezë.

Por pavarësisht qendrimit të Gjon Palit II, pasardhësi i tij, Benedikti i XVI u tregua më konservator kur e cilësoi si të pamundur teorinë e evolucionit sipas përshkrimeve darviniane.

Top Channel