Nuse te ISIS-i, Sabina: Më në fund jam e lirë

28/10/2014 00:00

Një vajzë austriake e cila ka gjashtë muaj që është larguar nga shtëpia për të jetuar mes radikalëve të ISIS-it në Siri, ka deklaruar se më në fund ndihet e lirë.

“Më pëlqen të ha dhe ushqimi këtu nuk është shumë ndryshe nga ai në Austri. Ka më shumë ushqim hallall, por mund të gjesh edhe çokokrem ose keçap”, ka thënë 15-vjeçarja Sabina Selimoviç në një intervistë me SMS për të përjavshmen ‘Paris Match’, intervistë që agjentët e anti-terrorit austriakë mendojnë se adoleshentja e ka dhënë nën kërcënimin e armës.

“Në Siri mund të jem vërtetë e lirë. Mund të praktikoj fenë time, gjë që nuk mund ta bëja në Vjenë”, thotë e reja.

Sabina është e martuar me një luftëtar xhihadist dhe familjarët e saj thonë që vajza e tyre është penduar që është larguar nga Vjena dhe kërkon të kthehet në shtëpi, por bashkëshorti nuk e lejon.

15-vjeçarja u largua nga shtëpia së bashku me një shoqen e saj 17-vjeçare duke i lënë prindërve një shënim ku shkruante se kishte shkuar për të luftuar në Siri. “Mos më kërkoni. Do i shërbej Allahut dhe do vdes për të”, lexohej në shënimin e Sabinës.

Top Channel