Mandzukiç: Guardiola më trajtoi keq

28/10/2014 00:00

Mario Mandzukiç ka deklaruar se ish-trajneri i tij tek Bayern Munchen, Pep Guardiola, e ka trajtuar keq sezonin e kaluar. Sulmuesi që tashmë luan për Atletico Madrid ishte titullar në ekipin bavarez që fitoi “Tripletën” nën drejtimin e Jupp Heynckes në sezonin 2012-2013, por ardhja e teknikut spanjoll në Mynih bëri që 28-vjeçari kroat të ulej në stol në sezonin 2013-2014.

“Guardiola më zhgënjeu shumë. Nuk më trajtoi me respekt. Gjërat ishin shumë më mirë me trajnerin Heynckes dhe ky nuk është vetëm mendimi im”, tha Mandzukic për ‘Sportske Novosti’.

“Nuk e meritoja atë trajtim pas dy sezoneve ku dhashë gjithçka për klubin. Gjërat ndryshuan kur erdhi ai dhe unë u mundova të përshtatesha, por dukej qartë që për mua nuk mund të kishte një të ardhme tek Bayern. Për këtë arsye u largova”, shtoi sulmuesi ballkanas.

Tek Atletico Madrid, Mario Mandzukiç ka shënuar 6 gola në 12 ndeshje me kampionët në fuqi të Spanjës.

Top Channel