Gruaja e dhunuar: Ja pse e fala burrin pas denoncimit

28/10/2014 00:00

Më shumë se gjysma e femrave që kërkojnë urdhër-mbrojtjeje në gjykatë, tërhiqen nga pretendimi se janë dhunuar nga bashkëshortët. Njëra nga këto femra, në një intervistë për ‘Pasdite në Top Channel’, rrëfen arsyen pse ka kërkuar mëshirë për bashkëshortin e saj.

Ju jeni pre’ e dhunës bashkëshortore. Sa kohë kishit e martuar?

Kam 10 vite e martuar. Nga kjo martesë kam një djalë 8 vjeç dhe një vajzë 5 vjeç.

Kur nisën konfliktet?

Kanë nisur dy vitet e fundit. Gjendja ekonomike jo e mirë çoi në xhelozi.

Ai punonte?

Me raste. Po e shtynim me borxhe, ndërsa 6 vitet e para të martesës kanë qenë më të mira. Pasi më vdiqën prindërit që më ndihmonin ekonomikisht, u detyrova të punoja vetë nëpër kazino apo kamariere për të mbajtur dy fëmijët.

Burri ka qenë i dhunshëm që në fillim të marrëdhënies suaj?

Jo, nuk ka qenë aspak i dhunshëm, u bë më vonë.

Sa herë është treguar i dhunshëm?

Kanë qenë 2-3 raste pasi nisa punën në kazino. Aty lindën xhelozitë.

Kur e more vendimin për ta denoncuar dhe pse?

Ai pinte ndonjëherë dhe kur ishte i pirë niste të bënte fjalë dhe fjalët pasoheshin nga dhuna fizike. Më kërcënoi edhe tek fëmijët dhe unë për këtë arsye e denoncova në polici.

Kaluan disa kohë dhe vendose ta falësh. Pse?

Ai nuk ka qenë një person i dhunshëm dhe me të kam dy fëmijë. Për hir të fëmijëve e kam falur sepse fëmijët kanë nevojë për baba, sado i keq të jetë ai.

Heqim pjesën e atësisë, e dëshiron bashkëshortin tënd në familje?

Edhe unë e dua burrin në shtëpi. Cdo gjë që ka bërë, unë ia kam falur. Ai është penduar, po ashtu edhe unë.

Ti e ke falur, por ai e ka marrë tashmë dënimin e tij nga gjykata. Mendon që kjo mund të ngjallë reagime të mëvonshme nga ana e burrit? Ke frikë nëse ai del nga burgu?

Jo, pasi më ka dhënë fjalën se nuk do përsërisë më gabimet.

Top Channel