Përse Turqia preferon kurdët irakianë?

28/10/2014 00:00

Turqia është vendosur në qendër të kritikave për pasivitetin e saj në betejën mes kurdëve dhe militantëve të ISIS-it në Kobane. Kritikat dhe presioni ndërkombëtar detyruan Ankaranë që javën e kaluar të marrë një vendim për të lejuar kurdët të përdorin territorin e saj si tranzit për t’iu bashkuar rezistencës në qytetin sirian, por edhe ky vendim me një kusht.

Ushtria turke në kufi me Sirinë ka zhvendosur qindra tanke që kontrollojnë rreptësisht hyrjet dhe daljet. E ndërsa daljet nga Siria drejt Turqisë janë më masive, hyrjet janë selektive. Ankaraja nuk lejon kurdët turq që të ndihmojnë bashkëkombasit e tyre përtej kufirit, por ka preferuar që këtë ta bëjnë kurdët irakianë.

Por përse kjo preferencë turke? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje duhet të rikthehemi pas në kohë, kur në vitet 1980 shpërtheu revolta e PKK-së kundër autoritetit të Ankarasë. Gjatë luftimeve mbi 40 mijë persona humbën jetën, ndërsa Turqia mohonte ekzistencën e kurdëve, por i cilësonte ata turq të zonave malore. Më vonë PKK u konsiderua organizatë terroriste nga Turqia, BE dhe Shtetet e Bashkuara.

Sot rezistencën në Kobane po e zhvillon PYD, e konsideruar si aleate e PKK-së dhe që Turqia e sheh si kërcënim për sigurinë e rajoneve të veta lindore, ku ka prezencë të minoritetit kurd.

Ndryshe janë marrëdhëniet me Republikën Autonome Kurde të Irakut. Me këtë rajon Ankaraja ka të zhvilluara marrëdhëniet ekonomike, eksporton një pjesë të madhe të prodhimeve të veta dhe në këmbim importon gaz dhe naftë.

Varësia ekonomike e ndërsjelltë ka rritur bashkëpunimet, madje aeroporti i Irbilit, kryeqytetit të kurdëve të Irakut është ndërtuar nga një kompani turke.

Nga ana tjetër Peshmergat, forcat e kurdëve të Irakut në këto muaj kanë rezultuar trupat më të suksesshme në terren ndaj ISIS-it dhe qendrimi i tyre i moderuar i bën që në sytë e Ankarasë të shihen si aleatë më të besueshëm se sa kurdët sirianë apo ata turq.

Vetë udhëheqësit turq ndodhen në një pozicion të vështirë. Brenda vendit vuajnë presionin e rrymave nacionaliste anti-kurde ndërsa aleatët ndërkombëtarë, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara kërkojnë që të ndihmojë kurdët sirianë. Ndoshta lëvizja për të lejuar Peshmergat, që janë ushtarë të një republike autonome të mirëstërvitur do të rezultojë një zgjidhje që do të kënaqë të gjitha palët.

Top Channel