Kosovë, Presidenca: Në pikëpyetje shtetit

28/10/2014 00:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka lëshuar alarmin për udhëheqësit e partive politike në vend që sa më parë të gjejnë zgjidhje për ngërçin institucional që po vendos në pikëpyetje qendrueshmërinë e shtetit.

Presidenca kërkon nga liderët e partive politike që të gjejnë zgjidhje për tejkalimin e krizës rreth formimit të institucioneve, para se vendi të kalojë në një krizë jo vetëm politike, por edhe financiare e buxhetore.

Në një deklaratë për Radion Europa e Lirë,  zëdhënësi i Presidencës, Arbër Vllahiu ka rikujtuar se për një muaj, Presidentja Jahjaga ka dhënë kontributin e saj në këtë drejtim.

“Vendi tani ka hyrë në një fazë kritike, kur qëndrueshmëria e tij po lëkundet, kur gjithashtu po rrezikojmë futjen në një krizë të thellë jo më politike, por buxhetore dhe financiare dhe kur po rrezikohet mirëqenia e qytetarëve. Mos të harrojmë se pa konstituimin e Kuvendit nuk do të mund të miratohet ligji për buxhetin, i paraparë nga fundi i muajit nëntor dhe kjo nënkupton që nuk mund të garantojmë funksionimin e shtetit”, deklaroi Vllahiu.

Ndërsa vendi po shkon drejt bllokadës financiare e buxhetore për mungesë të miratimit të Ligjit për buxhetin, Vllahiu thotë se efektet e krizës po hetohen edhe në aspektin e përfaqësimit të Kosovës jashtë vendit.

Nismat e Presidentes Jahjaga për lehtësimin e një takimi ndërmjet të gjithë liderëve politikë në vend, janë cilësuar si të padobishme nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Blloku opozitar këmbëngul që zgjidhja të gjendet në Kuvend.

Përderisa kryeministri në largim dhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar sot duke iu drejtuar partive të bllokut pas zgjedhor se nuk mund të drejtojnë institucionet e reja si parti humbëse të zgjedhjeve.

“Por, fat të keq për vendin dhe qytetarët, edhe pesë muaj pas zgjedhjeve, ndërtimi i institucioneve mbahet i bllokuar. Koha kur Kosova qeverisej nga liderë që përjetësisht nuk kanë arritur të fitojnë numra dyshifrorë në zgjedhje të lira, ka mbaruar përgjithmonë”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në rrjetin social Facebook.

Pozicionimet e kundërta ndërmjet PDK-së në njërën anë dhe bllokut LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje në anën tjetër, kanë bllokuar konstituimin e Kuvendit, zgjedhjen e kryetarit të këtij institucioni dhe rrjedhimisht edhe formimin e qeverisë së re.

Nëse një bllokadë e tillë vazhdon, nga Zyra e Presidentes sërish sot është bërë me dije se atëherë do të konsiderohej që liderët do të pajtohen që vetëm zgjedhjet e reja mund të shihen si opsion për tejkalimin e gjendjes.

Top Channel