Dashurie Zerja ia ka dedikuar ditën përgatitjeve të dimrit. Në gusht, kur duhet të bënte jufkat, 43-vjeçarja nga Peshkopia nuk ndodhej në Shqipëri. Ndaj tani, duhet të ndezë sobën e t’i futet punës se duhet kohë dhe ambient i thatë.

Zakonisht, këto përgatitje i bën me vjehrrën dhe me fëmijët e saj. Por, tani fëmijët janë në shkollë në Tiranë dhe vjehrrën nuk e ka këtu, prandaj ka thirrur shoqen e saj Gugashen që ta ndihmojë sepse jufkat duan shumë mund.  

“Kam nisur të gatuaj që në moshën 12-vjeçare pasi nëna më vdiq e re. U përmirësova kur erdha nuse, duke parë vjehrrën e duke më ndihmuar ajo”, tregon zonja Dashurie.

Dashja, siç i thërrasin të njohurit, përdor 30 kilogramë miell për jufkat, miell që duhet bërë peta brenda ditës : “Nuk i bën dot vetëm petat brenda ditës, është e pamundur. Duhet të thërrasësh dikë tjetër që të të ndihmojë.”

Në një shtëpi dibrane, jufkat janë si lakmuesi që tregon se sa e mirë është një amvisë. Madje aq e mirë ishte Dashja, saqë vjehrra i propozoi që këtë traditë ta përdornin për të siguruar të ardhura : “Duke punuar dhe duke investuar kemi kaluar në një punishte familjare sa për të mbajtur fëmijët në shkollë.”  

Por përveç jufkave që kësaj here ishin jashtë radhe, turshitë dhe specat me gjizë janë zahiretë e kohës që po përgatiten në çdo famije dibrane. Krahasuar me jufkat apo me trahananë, turshitë janë gati përgatitje relaksi për nga angazhimi.  

Megjithëse e ka dhe punishten, Dashja ka vendosur t’ia mësojë vajzës së saj traditën e zahireve edhe për të përligjur thënien e njohur: lum kush merr vajzë në Dibër.

Top Channel