Në qytetin e Korçës ka nisur aksioni për kontrollin e lidhjeve të paligjshme dhe më pas ndërprerjen e tyre.

Aksioni është përqendruar tek bizneset, ndërsa është bërë ndërhyrje edhe aty ku është konstatuar se ka lidhje të paligjshme. Sipas drejtorit të OSSHE-së në Korçë, Agim Pili, aksioni i ndërmarrë ka mundur të shkëpusë rreth 300 lidhje të paligjshme, ku 20% e zënë bizneset ndërsa pjesën tjetër familjet.

“Aksioni po vazhdon me ritëm normal dhe po merren masat ndëshkuese sipas ligjeve në fuqi si për ata që ndihmojnë në vjedhje, si për ata që vjedhin”, deklaroi zoti Pili.

Aksioni në Elbasan nisi në rrugën “Rinia” ku ka patur edhe shoqërime nga policia. Në zonen e qytetit janë shumë subjekte biznesi që nuk paguajnë energjinë dhe kanë lidhje të jashtëligjshme. Cdo ditë në qarkun e Elbasanit pritet energjia elektrike për rreth 600 debitorë dhe 168 persona janë referuar në Prokurori.

Bukurosh Maçi, drejtor i OSHEE-së Elbasan, shprehet: “Jemi në terren së bashku me forcat e Policisë së Shtetit për të gjithë ato biznese apo familje që nuk shlyejnë detyrimet. Kanë nisur procedimet e para penale. Kush abuzon me energjinë elektrike duhet të shkojë para organeve të drejtësisë.”

Në zonat rurale në Lushnje është evidentuar vjedhje e vazhdueshme e energjisë elektrike në fermat bujqësore dhe në zonat e serave. Sipas drejtuesve rajonalë të Operatorit të Shpërndarjes, pronarët e serave lidhin në mënyrë të jashtëligjshme rrjetin në shtyllat e tensionit të mesëm ose mbajnë në punë pompat e vaditjes me linja të jashtëligjshme të energjisë.

Dine Aliaj, drejtor i OSHEE-së Lushnje, thotë: “Po evidentojmë abonentët me lidhje të dyfishta dhe jemi duke përcaktuar masat që do të merren ndaj tyre.”

Aksioni për mbledhjen e pagesave të energjisë elektrike ka rritur në mënyrë të ndjeshme pagesat në qarkun e Kukësit. Ndërkohë që disa persona janë paditur për vjedhje.

“Rreth 50 abuzues ja kemi dërguar Prokurorisë. 3 prej tyre janë arrestuar për vjedhjen e energjisë”, deklaroi Besnik Kërxhaliu, ekspert i OSHEE-së Kukës.

Top Channel