Operacioni kundër vjedhjes së energjisë, 52 të arrestuar në shkallë vendi

28/10/2014 00:00

52 persona janë arrestuar dhe 7 të tjerë janë shpallur në kërkim vetëm gjatë 24 orëve të fundit të operacionit kundër vjedhjes së energjisë elektrike.

Me anë të një njoftimi për shtyp, Policia e Shtetit bën të ditur se mes të arrestuarve, ku pjesa më e madhe janë pronarë biznesesh, në pranga kanë rënë dhe një faturist në Tiranë, një elektriçist  e një inxhiner në qytetin e Fierit.

Në njoftim thuhet se nga strukturat e Policisë së Shtetit është mbështetur OSHEE në 283 raste, nga ku janë gjetur dhe rastet e shkeljeve. Numri më i madh i personave të arrestuar janë në Qarkun e Tiranës, me 21 persona të arrestuar dhe 4 të shpallur në kërkim.

Në Lezhë janë prangosur gjashtë persona në flagrancë, në Fier pesë pronarë të subjekteve të biznesit, po pesë të arrestuar ka patur edhe në Vlorë. Në Shkodër janë arrestuar tre,  në Elbasan e Gjirokastër dy, ndërsa pjesa tjetër në qarqet e mbetura.

Policia e Shtetit vijon kryerjen e veprimeve procedurale për rastet e tjera të konstatuara nga strukturat e policisë. Nga strukturat e Policisë së Shtetit, po punohet dhe në drejtim të identifikimit të personave që krijojnë lehtësira për t’u kryer ky aktivitet i paligjshëm, siç mund të jenë punonjës të vetë OSHEE-se apo ish-punonjës të këtij institucioni, duke marrë dhe masa ndaj tyre.

“Policia e Shtetit do të vijojë me vendosmëri masat e marra në kuadër të këtij operacioni të rëndësishëm  për vendin, duke përballur me forcën e ligjit të gjithë ata persona, të cilët abuzojnë me energjinë elektrike, duke e vjedhur atë, apo duke mos paguar për konsumin që kryejnë, qofshin këto biznese, individë apo punonjës të institucioneve dhe të vetë OSHEE.” – mbyllet njoftimi i Policise se Shtetit
 

Top Channel