Kim Jong-un është operuar në kavilje

29/10/2014 00:00

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, i cili ishte zhdukur së fundi nga sytë e publikut për afro 6 javë, i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për të hequr një kist nga kavilja e tij e djathtë.

Lajmi është bërë i ditur nga një agjenci lajmesh koreano-jugore gjatë së martës. Agjencia “Yonhap” tha se ligjvënësit koreano-jugorë, të cilët kishin cituar burime të inteligjencës, thanë se Kim kishte kryer një operacion në kavilje mes muajve Shtator-Tetor.

Ligjvënësit thanë për “Yonhap” se Shërbimet Kombëtare të Inteligjencës kishin thënë gjatë një takimi me dyer të mbyllura, se një doktor i huaj kishte kryer operacionin në fjalë, ndërsa kisti me shumë gjasa mund t’i përsëritet.

Kim është rishfaqur në publik më 14 Tetor, kur një media shtetërore e vendit komunist publikoi fotot e para të tij, pas më shumë se 1 muaji mungesë.

Lideri koreano-verior dha “udhëzime në terren” për një lagje banimi të ndërtuar rishtazi, si dhe vizitoi Institutin e Energjisë Natyrore të Akademisë shtetërore të Shkencave, siç raportoi agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.

Kim kishte munguar në një dalje publike, që kur mori pjesë në një koncert me të shoqen, më 3 Shtator. Mungesa e tij, veçanërisht nëpër eventet zyrtare, ishte më e gjata e tij që prej vitit 2010, kur dhe mori pushtetin.

Në fotot e publikuara, por që nuk kanë një datë se kur janë bërë, Kim shfaqet i rrethuar nga zyrtarë dhe shihet duke ecur me një bastun. Ai duket i qeshur dhe jo sikur të kishte dhimbje. Përpara zhdukjes së tij, Kim doli për herë të fundit duke çaluar, duke nxitur teoritë se ai vuante nga përdhesi, apo nga mbipesha.

Top Channel