Turqi, 18 minatorë të bllokuar, veniten shpresat

29/10/2014 00:00

Shpresat për shpëtimin e 18 minatorëve të bllokuar në një minierë qymyri të përmbytur në Jug të Turqisë janë venitur përfundimisht të martën.

Ekipet e shpëtimit, përfshi edhe zhytës, vazhduan punën e tyre në minierën që ndodhet në periferi të qytetit Ermenek, në provincën Karaman, rreth 110 km në Veri të brigjeve të Mesdheut (mbi Qipro) në Turqi.

Ky është aksidenti i dytë madhor industrial në një minierë turke në këto 6 muajt e fundit. Fatkeqësia më vdekjeprurëse e Turqisë ndodhi në Maj, në qytetin perëndimor të Somas, ku 301 minatorë mbetën të vdekur, duke nxitur protesta kombëtare mbi sigurinë e dobët të punëtorëve në vend. Qindra punëtorë krahu vdesin në Turqi çdo vit.

Ministri i Energjisë, Taner Yildiz, tha për reporterët për transmetimeve televizive, se niveli i ujit që kishte përmbytur minierën e kishte tejkaluar tashmë zonën ku gjendeshin minatorët.

“Uji po shtohet me 1 metër çdo 2 orë… Koha po shkon kundër nesh”, tha Yildiz, duke shtuar se 34 persona ishin duke punuar nëntokë në momentin e përmbytjes. Se nga erdhi uji është ende e paqartë dhe dyshohet të jetë nga një depozitë shirash apo diçka tjetër, tha Yildiz.

Mediat turke raportuan për sasira të mëdha uji, që kishte mbushur tashmë puset e minierës. Qindra punonjës shpëtimi po punonin për të nxjerrë jashtë ujin, edhe pse ai vijonte të derdhej brenda minierës.

Përmbytja ka ndodhur rreth orës 15 të mesditës, ndërkohë që minatorët e bllokuar kanë qenë rreth 350 metra nëntokë, bëri të ditur Kerim Pinarli, njëri prej 16 minatorëve që mundën të dilnin nga situata e rënduar.

Top Channel