Ferrari në Austin me dy objektiva të qarta

29/10/2014 00:00

Skuderia Ferrari ka mbërritur në kontinentin amerikan, ku në dy garat e ardhshme do t’i duhet të garojë në Austin të SHBA-ve dhe Sao Paolo të Brazilit, me dy objektiva të qarta: vendin e tretë si konstruktorë dhe mbledhje e të dhënave për sezonin e ardhshëm.

“Kemi shfrytëzuar këto 3 javë pushimi për t’u përgatitur sa më mirë për Çmimin e Madh të Amerikës, si dhe për të zhvilluar disa elementë të rëndësishëm për testime, për të optimizuar performancën dhe për zhvillimet e mëtejshme me perspektivë sezonin 2015”, është shprehur drejtori inxhinierik, Pat Fry.

Në renditjen për konstruktorë, Ferrari është aktualisht në vendin e katërt, me 28 pikë diferencë nga Williams. “Nga përballjet me kundërshtarët tanë kemi krijuar një ide se ku duhet të përmirësohemi. Është e nevojshme të punojmë në të gjitha fushat që kemi identifikuar, ndaj dhe disa objektiva ambiciozë janë fiksuar  në dy fusha të rëndësishme: motori dhe aerodinamika. Duam të arrijmë këto objektiva, për t’u kthyer më kompetitivë vitin e ardhshëm, kështu që i gjithë ekipi po punon e do të përqendrohet në 5 muajt e ardhshëm”.

Pista e Amerikës është një nga më të dashurat në Formula 1, që prej garimit të parë në të në vitin 2012. “Ka shumë kthesa që merren me shpejtësi të mëdha gjatë sektorit të parë. Një vijë të drejtë të gjatë në mesin e xhiros, si dhe disa kthesa të ngadalshme në fundin e saj. Elementi që na ka kushtëzuar gjatë 2 garave të fundit kanë qenë gomat. Besoj se edhe këtë vit performancat në Austin do të kushtëzohen nga mënyra se si do të punohet me gomat”.

Top Channel