Peshmergat mbërrijnë në Turqi

29/10/2014 00:00

150 trupat Peshmerga kurde mbërritën në jug-lindje të Turqisë në orët e para të së mërkurës dhe janë në përgatitjet e fundit për të hyrë në territorin sirian në Kobane për të luftuar militantët e ISIS-it.

Avioni i “Turkish Airlines” u ul në aeroportin e qytetit Sanliurfa pak pas mesnate mes masave të forta të sigurisë së ndërmarra nga autoritetet vendase.

Reuters thotë se pak pas uljes një kolonë me autobusë të bardhë e shoqëruar nga disa automjete të blinduara të ushtrisë turke la aeroportin.

Qyteti i Kobanit, në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë prej javësh është shndërruar në arenën e luftimeve mes rezistencës kurde dhe ekstremistëve të ISIS. Ditët e fundit militantët xhihadistë kanë njohur përparim duke marrë nën kontroll gjysmën e qytetit, pavarësisht bombardimeve nga ajri të koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

ISIS u shndërrua në “dhimbjen e kokës” për ndërkombëtarët në fillim të verës me pushtimin e hapësirave të mëdha në Siri e Irak, me shkrirjen e kufijve mes dy vendeve dhe shpalljen e Kalifatit Islamik.

Myslimanët shiitë, të krishterët dhe banorët e tjerë të këtyre zonave që refuzonin ideologjinë e tyre radikale fetare u bënë objekt terrori, shpërnguljeje dhe vrasjesh masive.  

Top Channel