Zgjedhjet e separatistëve në Ukrainë, SHBA paralajmëron Rusinë

29/10/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara paralajmëruan Rusinë se një njohje e mundshme e
zgjedhjeve të separatistëve në rajonet lindore të Ukrainës do të shkelte
marrëveshjet ndërkombëtare.

Në një konferencë për shtyp nga Otaua në Kanada, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, Sekretari i Shtetit John Kerry tha se njohja e këtyre zgjedhjeve do të ishte një shkelje e marrëveshjeve ndërkombëtare, por edhe e vetë zotimeve të Rusisë dhe udhëheqësve rebelë në lindje të Ukrainës, zotime të nënshkruara në Minsk më 5 shtator.

“Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar nuk do të njohin të ashtuquajturat zgjedhje të separatistëve, nëse ato nuk organizohen brenda kuadrit ligjor dhe statusit special të miratuar nga parlamenti ukrainas dhe të firmosur nga Presidenti Poroshenko”, deklaroi Kerry.

Një ditë më parë Rusia deklaroi se do të njihte zgjedhjet e separatistëve në lindje të Ukrainës, zgjedhje të parashikuara për t’u mbajtur më 2 nëntor.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u shpreh se procesi i votimit në rajonet e trazuara të Donetskut e Luhanskut “do të jetë i një rëndësie të veçantë për shkak se do të legjitimojë autoritetet e atjeshme”. Në të dy këto zona vazhdon të mbetet në këmbë me shumë vështirësi armëpushimi i paqendrueshëm me Kievin, trupat e të cilit u përpoqen pa sukses t`ia hiqnin pushtetin mbështetësve të Moskës.

Ukraina i ka kërkuar Rusisë të ushtrojë presion mbi separatistët që të mos i zhvillojnë votimet rivale në Lindje. Por Rusia edhe një herë del në krah të separatistëve me deklaratën e shefit të saj të diplomacise Lavrov, i cili e bëri të qartë se Moska pret që zgjedhjet të mbahen e për më tepër do të njohë pa ngurim rezultatin e tyre.

Top Channel