Arrestimet për vjedhjen e energjise, 63 të tjerë në pranga

29/10/2014 00:00

Të paktën 63 persona, 2 prej tyre punonjës të OSHEE, një në Tiranë dhe tjeri në Shkodër, janw arrestuar në shkallë vendi në ditën e dytë të aksionit kombëtar kundër vjedhjes së energjisë elektrike. Ndërsa janë shpallur në kërkim 24 persona.

“Një sipërmarrës që e vjedh energjinë elektrike për përfitim, policia e shtetit e arreston përgjegjësin e vjedhjes dhe njëkohësisht punonjësin e Operatorit të Shpërndarjes, që duhet të identifikonte, por që nuk e ka bërë, madje ka bashkëpunuar për vjedhjen e energjisë elektrike”, tha ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Ministri tha se operacioni do të ndalet ditën që do të marrë fund abuzimi dhe vjedhja me energjinë elektrike.

“Konsiderohet shumë i suksesshëm për nga rezultatet e ditës së parë, do të vijojmë në çdo cep të Shqipërisë për të prerë cdo mundësi të vjedhjes së energjisë elektrike dhe për të cuar përpara përgjegjësisë penale, jo vetëm ata që vjedhin energjinë elektrike, por edhe ata që kanë lehtësuar ose kanë bashkëpunuar për të ndihmuar hajdutët e energjisë elektrike. Këta janë punonjësit e Operatorit të Shpërndarjes”, theksoi Tahiri.
 
Një ditën e parë të operacionit, janë arrestuar 52 persona, ndërsa 7 të tjerë janë shpallur në kërkim. 

Top Channel