Ahmetaj: Jemi në vendin më të mirë në 20 vjet

29/10/2014 00:00

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Arben Ahmetaj, e cilësoi si historik
rezultatin e Shqipërisë, në përmirësimin e klimës së biznesit, e cila
sipas Bankës Botërore ka ngjitur 40 shkallë në renditjen globale.

“Kapërcimi historik që kemi bërë, në cilësinë e të bërit biznes, ka të bëjë drejtpërdrejt me reformat e guximshme dhe të thella që Qeveria Rama ka ndërmarrë që vitin e parë të qeverisjes së vet”, tha Ahmetaj.

Për ministrin e Ekonomisë, raporti dëshmon se marrëdhëniet e Qeverisë me biznesin kanë kaluar në një nivel të ri përmirësimi. Por mbi të gjitha, sipas tij, ky raport rrit pritshmërinë për ekonominë.

“Duke qenë se ky raport është një ndër burimet kryesore që konsiderohet nga çdo investitor apo sipërmarrës i huaj, për të marrë vendime në lidhje me investimet e tij, ky përmirësim dhe kjo renditje jep dhe do të japë një impakt, një ndikim të drejtpërdrejt në tërheqjen e investimeve të huaja”, tha Ahmetaj.

Në fund, Ahmetaj tha ky përmirësim në klimën e biznesit, është edhe përgjigjja më e mirë ndaj akuzave të opozitës për krizë ekonomike.

“Urojmë që ky sukses të njihet dhe jo të nxihet nga ata që nuk arritën dot në 8 vite, pasi është një sukses,që i përket të gjithë vendit, të gjithë ekonomisë, të gjithë sipërmarrjes shqiptare”, tha Ahmetaj.

Banka Botërore e klasifikoi Shqipërinë për këtë vit në vendin e 68-të në botë për nga klima e biznesit, me një përmirësim prej 40 vendesh krahasuar me një vit më parë.

Top Channel