Dy predha kanë përfunduar në godinën e qeverisë në Shkup mbrëmjen e së martës, rreth orës 22.

Policia, e cila ka dalë në vendin e ngjarjes menjëherë pasi janë dëgjuar shpërthimet, ka bërë të ditur se një nga predhat është gjetur në tarracën e ndërtesës, ndërsa tjera në anën lindore të fasadës së saj.

Nga ky sulm nuk është lënduar askush, por janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska tha se ekipet e specializuara policore po hetojnë llojin e armës me të cilën janë shkrepur predhat, motivet për incidentin dhe personat e dyshuar që mund të kenë kryer sulmin.

“Mbrëmë rreth orës 22, personi përgjegjës për sigurinë e selisë së qeverisë ka njoftuar policinë se janë dëgjuar dy shpërthime. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka konstatuar se dy predha kishin përfunduar në fasadën e godinës qeveritare. Predhat janë marrë nga policia e cila po heton motivet e këtij incidenti”, deklaroi Jankullovska.

Kryeshefja e policisë maqedonase nuk i’u përgjigj interesit të gazetarëve nëse në momentin e sulmit qeveria po mbante seancë të rregullt. Nga ana tjetër, qeveria ende nuk ka dalë me një qëndrim lidhur me incidentin e mbrëmshëm.

Top Channel